Nëse jeni familiar me kuzhinën italiane me siguri që keni dëgjuar për patenë e famshme të mëlçive të pulës.
Kjo traditë që vjen më saktësisht nga Toskana është një shoqëruese shumë interesante dhe e shijshme për pjatat tuaja.
Shija e fortë e mëlçive dhe përbërja kremoze që kjo pate ofron kur shoqërohet me bukën e thekur e ka bërë atë një nga specialitetet më të mira e të lehta që mund të përgatisni.
Ndonëse ka disa mënyra gatimi të saj, AgroWeb.org ju sjell një ndër më të thjeshtat ku përbërësit kryesor janë mëlçitë e pulës.
Ndaj nëse jeni kuriozë për shijen ju këshillojmë ta përgatisni menjëherë në shtëpitë tuaja.
Përbërësit
280 gr mëlçi pule
200 gr lëng mishi pule
45gr gjalpë
Gjysmë qepe
1 gjethe dafine
2 lugë kaperi sipas dëshirës
Vaj ulliri
Kripë
Piper
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete lani mirë mëlçitë e pulës duke i pastruar edhe nga dhjami që mund të kenë.
Vendosni në zjarr një tigan me 15 gr gjalp, 2 lugë gjelle gjalpë dhe qepën e grirë hollë në mënyrë që të skuqen.
Pasi kjo të ketë ndodhur, shtoni aty melçitë e prera në copa të vogla sic bëni zakonisht kur i skuqni.
Lërini përreth 1 minutë e më pas shtoni kripën dhe gjethen e dafinës.
Sipas dëshirës në këtë moment mund ta shuani recetën me pak konjak për më shumë shije.
Vijoni duke shtuar lëngun e mishit të pulës dhe lëreni tiganin në zjarr të ulët përreth 20 minuta.
Tani mund të shtoni kaperit sipas dëshirës tuaj dhe në fund pak kripë e piper.
Kur mëlçitë të jenë gatuar, hiqni gjethen e dafinës dhe të gjithë recetën që përgatitët kalojeni në një mikser.
Aty shtoni edhe 30 gr gjalpë dhe filloni të përzieni me shpejtësi në mënyrë që të mund të krijoni një salcë kremoze e të trashë.
N ëfund vendoseni në një tas të vogël dhe përdoreni për të lyer bukën e thekur apo për ta shtuar në receta të ndryshme antipastash.
Këtë salcë mund ta ruani të mbyllur në frigorifer për 2-3 ditë./AgroWeb.org