Receta Unike – Reçel me Mollë dhe Xhenxhefil, Plot Shije dhe Vlera Për Shëndetin

502 0

Për shumë amvisa shqiptare, përgatitja e reçelit është shpesh edhe një pasion. Reçeli përbën mënyrën më të mirë për të ruajtur frutat dhe shijuar ato gjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org ju rekomandon këtë recetë të re reçeli që kombinon mollën dhe xhenxhefilin, të pasura në vlera dhe përfitime.

Reçeli i shtëpisë është më i miri

Përfitimet e një produkti të gatuar në shtëpi janë të panumërta në krahasim me artikujt që shiten nëpër dyqane dhe supermarkete.

Kur përgatisni reçel në shtëpi ju mund të kontrolloni përbërësit që do të hidhen në kavanoz, pastërtinë e tyre por edhe të garantoni mungesën e substancave shtesë, ngjyruesve artificialë, apo pesticidëve.

Duke qenë se frutat janë të freskëta, AgroWeb.org ju tregon se reçeli i bërë në shtëpi zakonisht përmban përbërës të një cilësie të lartë.

Ndërkohë që kur reçeli bëhet në sasi të mëdha për shitje masive, përbërësit e përzgjedhur janë të një cilësie më të dobët.

Përbërësit:

1,5 kg mollë
250-300 gramë sheqer
700 ml ujë
250 gramë xhinxher
3 limonë – lëngu dhe pak lëkurë

Përgatitja

Lajini, qërojini dhe prijini mollët në feta. Vendosini në një tenxhere dhe ruani lëkurat duke i futur në një napë, të cilën duhet ta bashkoni me fetat e mollës gjatë zierjes, që të lëshojnë pektinën shtesë.

Në tenxheren ku keni lënë fetat e mollës, hidhni ujë dhe ziejini të gjitha së bashku deri sa fetat të zbuten.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe largoni qesen prej nape me lëkurat. Më pas shtypini fetat e mollës për të krijuar një masë të njëtrajtshme të qullët.

Shtoni lëkurën dhe lëngun e limonëve, dhe xhenxhefilin e grirë hollë bashkë me sheqerin.

Përziejini të gjithë përbërësit deri sa sheqeri të nisë të shkrijë dhe rikthejeni tenxheren sërish në zjarr.

Kur sheqeri të jetë shkrirë në masën e mollës, rriteni temperaturën dhe lëreni masën të ziejë për 5 minuta dhe më pas përzijeni për pesë minuta të tjera. Provojeni nëse shija ju pëlqen.

Në të kundërt përzijeni dhe zijeni sërish deri sa reçeli të arrijë trashësinë e duhur. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet për 15 minuta.

Hidheni reçelin në kavanozë qelqi të pastër dhe të sterilizuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.