Biznesi Shqiptar i Frutit të Pasionit

1.1k 0

Sabrina, Kamarosa e Miranda kanë ardhur në Shqipëri vetëm 5 vjet më parë. Vijnë kryesisht nga Spanja dhe janë shumë të kërkuara për cilësinë dhe rendimentin e lartë. Janë të parezistueshme; Luleshtrydhe.

Shqipëria ka pasur pak prodhim të këtij fruti. Prodhimi ne masë i luleshtrydheve të freskta në Shqipëri filloi vetëm para disa vitesh. Rendimenti gjatë sezoneve të para ishte 40-50 ton për hektar. Prodhimi bazohet në varietetin Kamarosa dhe disa varietete të tjera të ditës së shkurtër duke përfshirë Sabrina, Fortuna, Splendor etj.

Me mbështetje të projekteve të ndryshme veçanërisht nga USAID/Albania po testohen varietete të reja për të mundësuar prodhim më të hershëm për periudha më të favorshme të tregut dhe skema të të ushqyerit për të përmirësuar cilësine dhe sigurinë ushqimore të frutave të luleshtrydhes në Kafaraj të Fierit.

Ishte viti 2010, kur Kreshnik Hamataj, vendosi të kthehej nga emigracioni në Greqi, ku punonte në plantacionet e luleshtrydheve. Erdhi me një ide të qartë. Luleshtrydhet do t’i mbillte në vendin e tij. Mbolli 6 dynym të cilat sot japin më shumë se 30 ton luleshtrydhe në vit. “ I tregtoj kryesisht në tregun e brendshëm, thotë zoti Hamataj për AgroWeb.org, ndërsa për eskport do të filloj këtë vit. Kërkesa e brendshme ka qenë e lartë, por këtë vit patjetër që do të nis të eksportoj Kamarosën”, pohon i vendosur z.Hamataj.

Artur Vrushi, një prej grumbullesve të fruta-perimeve në Frakull të Fierit, thotë për AgroWeb.org se luleshtryshet janë shumë të kërkuara në Kosovë e Serbi. Z.Vrushi thotë se në këtë periudhë çmimi është i lartë, rreth 500 lekë për kg pasi edhe sasia është e pakët. “Në këtë periudhë mund të grumbullosh vetëm 18-20 arka dhe nuk mund të mbushësh dot një kamion eksporti. Zakonisht kur eksportojmë domate fusim edhe ndonjë arkë luleshtrydhe. Grumbullimi është më mirë në shkurt kur edhe sasia shtohet, edhe çmimi bie.” Zoti Vrushi tregon se prodhimi i luleshtrydheve në Frakull është dyfishuar.

Çdo frut i luleshtrydhes vilet me dorë. Në zonën e Kafarajt në Fier, janë pra mbi 80 hektarë të kultivuara me luleshtrydhe në serra tunel. Mbjelljet e hershme të fidanëve fillojnë nga data 20 shtator deri 15 tetor dhe ato të vona nga data 25 tetor deri më 5 nëntor. Rendimenti mesatar i kësaj kulture është 50 ton/ha dhe për vitin 2016 rreth 3,000-3,500 ton. Vjeljet e para në sasi të limituara kanë filluar që nga 25 nëntori por prodhimi maksimal arrihet nga 15 marsi deri 15 maj. Gjithsesi vjelja vazhdon deri në fundt të qershorit. Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet e kësaj zone eksportohen dhe jashtë vendit më së shumti në Kosovë dhe rajon.

Një prej sipërmarrësve Italianë në Shqipëri, Adriano Mazza ka gjetur “parajsën e luleshtrydheve” në Lushnje. Ai ka provuar 14 varietete luleshtryshesh në Grabian nga të cilat 2 kanë rezistuar e që po i kultivon kryesisht për eksport. Luleshtrydhet janë një investim i mënçur pasi në Shqipëri, thotë ai, pasi ato kanë 3 muaj prodhim ndryshe nga disa vende të tjera ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë. Pozicioni i Shqipërisë me detin në Perëndim e bën shumë të favorshme klimën për këtë frut.”

Luleshtrydhet kanë një histori të gjatë e janë shijuar që prej kohës së Romakëve. Si shumë fruta të tjera të veçanta, luleshtrydhet zënë një vend nderi në histori si një produkt luksi i shijuar vetëm nga mbretërit. Ky frut u shërbehej të sapomartuarve shoqëruar me krem paksa të athët për mëngjes, duke besuar se shërbënte si afrodiziak. E sigurt është se luleshtrydhet, qofshin Sabina apo Kamarosa janë biznes për disa dhe frut pasioni për të gjithë./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.