Bujqësia Urbane – Një Mundësi e Re Për Prodhimet Organike

670 0

Në ditët e sotme bujqësia urbane, ose kopshtaria urbane, që është praktika e kultivimit, përpunimit të ushqimit në zonat urbane, shihet si një mundësi e mirë për realizimin e prodhimeve organike.

Ekspertët në Ministrinë e Bujqësisë shprehen se, bujqësia urbane i detyron qytetarët të rritin bimët në një mënyrë edhe më të kontrolluar dhe të vetëdijshme, gjë që çon në më shumë mundësi për të rritur ushqimin organik pa investime shtesë.

Në bujqësinë tradicionale fermeri është i detyruar të përdorë pesticide dhe plehra kimike për të siguruar një rendiment të lartë kur faktorët e mjedisit nuk janë miqësorë me kulturat bujqësore.

Kështu që ai nuk është në gjendje për të realizuar prodhime organike.

Ndërsa në bujqësinë urbane, moti, faktori mjedisor reduktohet në minimum, kështu që nuk ka nevojë reale për përdorimin e rregullatorëve të rritjes kimike.

Gjithçka që duhet në këtë rast është një tokë me cilësi të mirë që përmban lëndë ushqyese, një sistem të shkëlqyeshëm ndriçimi dhe ujë me cilësi të mirë, shpjegojnë ekspertët.

Por si ngrihen “fermat urbane”

Shumë prej qytetarëve kanë krijuar “dollapë” kompaktë, të projektuar me kujdes, me disa rafte, të aftë të rritin dhjetëra bimë të ndryshme në çdo raft, të cilat në shumicën e rasteve i vendosin në ballkone apo veranda.

Kjo mënyrë, sipas ekspertëve, krijon mundësi për të patur prodhime të freskëta gjatë gjithë vitit. Në bujqësinë tradicionale, çdo prodhim natyrisht ka sezonin e vet.

Ndërsa në bujqësinë urbane, meqenëse faktori mjedisor dhe sezoni minimizohet pothuajse në zero për shkak të përdorimit të kulturave hidroponike ose aeroponike, bëhet e mundur të realizohen prodhime të ndryshme bujqësore në çdo kohë të vitit.

Në këtë mënyrë mund të prodhohen marule, në çdo dy javë, luleshtrydhe në çdo muaj të vitit, etj.

Sapo një bimë të jetë rritur dhe është e gatshme për t’u vjelë, menjëherë ajo mund të zëvendësohet me një mbjellje të re, tregojnë specialistët.

Ata thonë se, bujqësia urbane mund të përfshijë gjithashtu dhe veprimtari të tjera prodhuese si blegtorinë, akuakulturën, pylltarinë, rritjen e bletëve dhe hortikulturën./Burimi:ATSh