Grushta dhe zënka për letrën higjenike të tualetit, rafte të zbrazura totalisht të produkteve të konservuara apo të dizifektantëve.
Ishin këto pamjet që raportuan mediat ndërkombëtare për blerjet nën panik në vende të ndryshme për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit dhe izolimit në shtëpi.
Po në Shqipëri cilat kanë qenë produktet më të shitura gjatë ditëve të karantinimit dhe çfarë blenë shqiptarët nën panik.
Disa të përbashkëta me sjellen e konsumatorëve në vende të tjera i kanë pasur edhe këtu por në një listë nga njëshi tek dhjeta për produktet më të shitura në listë gjejmë vezën, orizin dhe pijet energjike.
Elona Hametaj Drejtore Ekzekutive e Spar Albania tha për “Monitor” se volumi i blerjeve gjatë këtyre ditëve është orientuar specifikisht tek disa produkte.
“Në këto momente, ashtu si edhe mund ta merrni me mend, në krye të shitjeve qëndrojnë produktet e shportës, frutat dhe perimet. Vend të rëndësishëm zënë edhe produktet e higjienës. E bërë më të prekshme kemi: vezë, vaj luledielli, miell, ujë, sheqer, oriz, qumësht, pije energjike, sardele në konservë dhe pastrues duarsh xhel” tha Hajmetaj.
Operatorët e rrjeteve të supermarketeve në vend thanë se fillimisht në javën e dytë të marsit pati një rritje të volumit të shitjeve të ngjashme me ato që bëhen në festat e fundvitit por që gradualisht ka një lloj rënie të kësaj kurbe drejt normalizimit.
Një lloj qetësimi psikologjik ë këtë rast e kanë bërë vetë operatorët të cilët janë shprehur se importet e mallrave ushqimore vazhdojnë normalisht dhe se nuk ka vend për panik dhe për blerje të volumeve të larta.
Qeveria aktualisht ka lënë si orar të lirë lëvizjeje për këmbësorët harkun 05:00 me 13:00 kohe gjatë të cilës qytetarët mund të kryejnë blerjet e tyre nëpër supermarket, farmaci, furra buke.
Sipas rregullit individët nuk lejohen të lëvizin të shoqëruar pra jo dy apo më shumë persona./Burimi:Monitor