Cilat Janë Shtetet Besnike Të Produkteve Shqiptare?

439 0

Eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rritën me rreth 600 milionë lekë gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë periudhës janar-maj 1.9 miliardë lekë nga 1.3 miliardë lekë që ishin në 5-mujorin e 2020-ës.

Ndërkohë, rritje të ndjeshme kanë patur edhe importet nga SHBA. Sipas të dhënave importet arritën në 5.4 miliardë lekë gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, nga 3.7 miliardë lekë që ishin për 2020-ën.

Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh, kryesisht produkte ushqimore, bimë mjekësore dhe metale.

Madje, Shqipëria konsiderohet një tregtues i rëndësishëm i bimëve mjekësore në tregun amerikan. Rritja e eksporteve është favorizuar edhe nga heqja e taksës doganore. Që prej vitit 2012, Shqipëria ka hyrë në listën e 128 vendeve që mund të përfitojnë nga një sistem preferencial që eliminon taksën doganore për një listë të gjatë produktesh.

Në fillim të muajit tetor të vitit 2020 u nënshkrua në Tiranë memorandumi për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri.

Memorandumi do të ketë ndikim pozitiv sa i përket edhe eksporteve shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar.

Përmes këtij memorandumi po realizohet edhe një ëndërr 50-vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjetike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë./Burimi: ATA