Pandemia COVID-19 Ul Eksportet Made in Albania

410 0

Masat kufizuese për frenimin e përhapjes së Covid-19 kanë ndikuar negativisht në tregtinë e jashtme të Shqipërisë.

Ky zhvillim konfirmohet nga Instituti i Statistikave (INSTAT) sipas të cilit në tërësi për periudhën e muajve janar-korrik 2020 janë ulur eksportet. Gjithashtu, në Shqipëri kanë hyrë më pak mallra nga vendet e tjera.

Sipas INSTAT, në 7-mujorin e këtij viti eksportet e mallrave u ulën me nivelin prej 16.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa importet u ulën me 13.2%.

Mes eksporteve, grupi i prodhimeve të industrisë fason, si veshje apo këpucë, mban vendin e parë me një rënie prej 8.8%. Përfaqësuesit e kësaj industrie kanë thënë më parë se pandemia ka tkurrur kërkesën, por gjithashtu, ndikoi për një afat të shkurtër edhe në ndërprerjen e importimit të lëndës së parë nga vende si Italia, Greqia dhe Turqia.

Janë pikërisht këto tre vende të cilat figurojnë me nivelin më të ulët të importeve gjatë pjesës së parë të këtij viti, ku rënien më të madhe e shënon Italianë një nivel prej 18%. Sipas INSTAT, në korrik, eksportet u rritën me 6.2%, krahasuar me muajin qershor./Euronews Albania