Potenciale Fitmi Për Fermerët – Përpunimi i Thjeshtë i Frutave Dhe Agroturizmi

535 0

Për shkak të traditës, burimeve natyrore dhe diversitetit, Shqipëria ka një potencial të pashfrytëzuar për rritjen e të ardhurave në bujqësi, si për shembull agroturizmi dhe marketimi i disa produkteve tipike shqiptare me standarde dhe analiza laboratorike që njihen ndërkombëtarisht.

Duke parë zhvillimet pozitivë të agroturizmit Organizata Botërore e Ushqimit, FAO po avancon këtë vit me dy nisma që synojnë diversifikimin e të ardhurave në bujqësi.

Ekspertët e FAO-s do të mbështesin fermerët të orientohen me prodhime dhe produkte që i shërbejnë turizmit rural dhe zinxhirëve me vlera të shkurtra, duke kryer trajnime të personalizuara në tre zona pilot.

Vlerësimet paraprake kanë treguar potencial për shtimin e vlerës në ekonomitë rurale përmes investimeve të mëtejshme, të tilla si: tharja e frutave (mollët, kumbullat dhe qershitë) në Korçë, krijimi i një inkubatori agro-biznesi për përpunimin e ullirit, duhanit, qeramikës dhe sapunit në Belsh dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës së cilësisë së qumështit në Malësinë e Madhe.

Këto inkubatorë sipas FAO-s mund të bëhen baza për vendimmarrje të përbashkët në kontrollin e cilësisë me standardet e sigurisë ushqimore, si dhe marketingun e përbashkët, përfshirë paketimin dhe etiketimin.

Sipas këtij projekti, pronarët e vegjël mund të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian, praktikat e mira të higjienës dhe zbatimin e standardeve sipas Kontrollit të Analizës së Rrezikut (HACCP).

Për të çuar më tej synimin për diversifikimin e të ardhurave në bujqësi FAO po bashkëpunon me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) bashkëpunim që do të mbështetet me fonde ndërmjet fermerëve dhe shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional.

Gjatë vitit të kaluar, pandemia COVID-19 ka zbuluar rëndësinë e dixhitalizimit. Fermerët e vegjël shpesh përballen me pabarazi në aspektin e aksesit dhe përdorimit të teknologjive dixhitale.

Për të kapërcyer hendekun dixhital në zonat rurale, fermerët duhet të aftësohen me përdorimin e internetit.

Programet synon të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë së fermave dhe në rritjen e aftësive konkurruese të sektorit të ushqimit në zonat rurale.

Rreth 350 000 fermerë të vegjël dhe fermat familjare janë shtylla kurrizore e bujqësisë në Shqipëri. Përkundër potencialit të lartë të sektorit për rritje, zonat rurale karakterizohen nga varfëria dhe papunësia.

Shpesh, mungesa e njohurive i pengon pronarët e vegjël të zbatojnë standardet minimale të sigurisë ushqimore dhe praktikat e mira bujqësore dhe, si rezultat, fermerët janë të përmbajtur nga menaxhimi efektiv i biznesit të tyre. /Burimi:Monitor