Prodhimi dhe Tregtia e Verës Në Shqipëri – Kriteret e Reja Për Të Shmangur Abuzimin

830 0

Qeveria parashikon mbështetjen e industrisë së prodhimit të verës në vend, përmes vendosjes së kritereve dhe rregullave të reja që minimizojnë abuzimet në këtë sektor.

Ministria e Bujqësisë ka përgatitur një projektligj “Për Vreshtarinë dhe Verën” , i cili synon të qartësojë rregullat për prodhimin, për praktikat enologjike të autorizuara e kufizimet që zbatohen për prodhimin e përgatitjen për treg si dhe për emërtimin e origjinës, të treguesve gjeografikë dhe për termat tradicionale të rrushit, verës dhe produkteve të tjera.

Ndërhyrjet në legjislacion synojnë nxitjen e konkurrencës së ndershme dhe zhvillimin e kësaj industrie sipas standardeve  më të mira.

Industria e verës përfshirë prodhimin vendas dhe importin vlerësohet të ketë një volum tregtar prej rreth 2 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro në vit.

Sipërfaqja e Mbjellë me Vreshta në Territorin Shqiptar

Ndërkohë që sipërfaqja e mbjellë me vreshta është rritur ndjeshëm vitet e fundit në mbi 10.000 ha.

Sipas statistikave të bujqësisë, rreth dy të tretat e fermerëve kultivojnë sipërfaqe deri në 0,2 ha.

Fermat më të vogla kanë një qasje të kombinuar, një pjesë e rrushit është i destinuar për shitje (i freskët, ose i përpunuar në formën e verës apo rakisë) dhe një pjesë për konsum vetjak.

Mbi 17 mijë ferma kanë vreshta me sipërfaqe mbi 0,2 ha, gjë që tregon për një lloj niveli specializimi.

Si kultivarët e pjergullave, ashtu edhe sipërfaqja me vreshta kanë qenë në rritje, por shkalla e rritjes së vreshtave dhe i prodhimit përkatës është shumë më i shpejtë edhe për shkak të disponueshmërisë së skemave të mbështetjes për ngritjen e vreshtave të reja.

Gjatë viteve të fundit sipërfaqja e vreshtave është rritur me mbi 1 mijë ha.

Zonat e Prodhimit të Rrushit në Shiqipëri

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.

Sot prodhimi vendas i rrushit dominon furnizimin e tregut vendas si me rrush tavoline, ashtu edhe me atë për përpunim.

Ndërkohë që importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit./Burimi: ATSH