Situata e Koronavirusit COVID-19 vazhdon të jetë ende një problem global, teksa numrat e të infektuarve shtohen ditë pas dite.

Vende të reja në Evropë si Holanda dhe Bjellorusia kanë konfirmuar rastet e para në territoret e tyre.

Qendra e virusit në Evropë Italia, sot shënon 653 të infektuar, prej të çilëve 45 janë shëruar dhe kanë lënë zonat e izolimit.

Shqetësimi për mbërritjen e virusit në Shqipëri është prezent, ndaj janë shtuar edhe masat parandaluese në të gjithë kufinjtë e vendit.

Situata në Shqipëri

Në mbledhjen e sotëshme të Task Forcës nga Ministria e Shëndetësisë u tha se masat parandaluese janë shtuar.

Ministria Ogerta Manastirliu i bëri sot thirrje të gjitha strukturave të jenë sa më vigjilente në çdo pjesë të vendit.

Në fjalën e saj ajo tha se, Shqipëria nuk mund të jetë imune ndaj virusit, prandaj bashkëpunimi dhe funksionimi i strukturave mjekësore duhet të jetë sa më efikas.

Mësohet se ekipet mjekësore në terren janë  shtuar në mënyrë që të identifikohet çdo rast i mundëshëm me këtë virus.

“Deri në këto momente Shqipëria nuk është e prekur nga koronavirusi COVID-19, ndërsa janë kryer 18 testime për persona të dyshuar që kanë patur histori udhëtimi me vendet e prekura”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Masat e marra

Ditën e sotëme ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në të gjithë urgjencat dhe spitalet e vendit, ndërsa rreth 800 mjekë e specialsitë po trajnohen për të përballuar situatën.

Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5000 thirrje në ditë në numrin unik 127, ndërsa aktualisht pret mbi 1500 thirrje, me një rritje prej 45%.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pritur 326 thirrje që janë klasifikuar në kodin e ri Korona, të cilët janë ndjekur sipas udhëzimeve të komitetit të ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Skënder  Brataj, Drejtor i Urgjencës Kombëtare.

Dhomat e izolimit në QSUT janë shtuar dhe Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të vendosur karantinat në punë në çdo rast nevoje.

Megjithëse në vend nuk ka ende asnjë të prekur nga ky virus, Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme tha se janë përcaktuar vendet e përshatëshme për karantinat e izolimit.

Gjatë fjalës së tij në Komitetin Kombëtar të Sigurisë, ai tha se shtëpia e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës  do të kthehet në karantinë.

Në këtë deklaratë, Kryeministri Rama tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë është siguruar paraprakisht që kjo godinë i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për këtë rast./AgroWeb.org