Sa Kushton Buka në Shqipëri? – Cili Vend Në Rajon Shënon Çmimin Më Të Ulët

2.9k 0

Buka është një nga produktet kryesore të shportës së ushqimeve në vend dhe ka sigurisht një peshë në shpenzimet e familjeve shqiptare. Buka dhe drithërat janë burimi kryesor i energjisë, të pasur me karbohidrate dhe vlera ushqyese.

Sipas të dhënave të Numbeo-s, portalit më të madhe që raporton mbi cilësinë dhe kostot e jetesës, në 2020 për të blerë 500 gramë bukë një familje në Shqipëri duhet të paguajë 67.39 lekë.

Me një diferencë tepër të ngushtë, Shqipëria renditet pas Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi për çmimin e bukës.

Po i njëjti portal referon se e njëjta sasi buke blihet në Bosnje dhe Hercegovinë, vendi me çmimin më të shtrenjtë në rajon, për 68.64 lekë. Ajo ndiqet nga Mali i Zi me një çmim prej 67.85 lekësh.

Po ku kushton buka më lirë?

Edhe për vitin 2020 qytetarët serb paguajnë më pak për të blerë 500 gramë  bukë. Sipas të dhënave të portalit një bukë në Serbi kushton mesatarisht 48.63 lekë, gati 30% më pak se çmimi i bukës në Shqipëri.

Pas Serbisë çmimi më i ulët i bukës  është vlerësuar të jetë në Kosovë.

Një shqiptar i Kosovës blen 500 gramë bukë me një çmim prej 51.2 lekësh, rreth 16 lekë më pak se në Shqipëri, apo 23% më lirë.

Çmimi i bukës në 2020 është më i lirë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku 500 gramë bukë shitet me një çmim prej 53.67 lekësh.

Rusia dhe Serbia zotërojnë 88% të tregut të bukës në Shqipëri

Në një analizë të mëparshme të Revistës Monitor, tregu kryesor dhe më i rëndësishëm ushqimor në vend, mielli, zotërohet nga Rusia dhe Serbia.

Së bashku këto dy shtete dominojnë 88.6% të tregut sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në vitin 2018, importet e drithërave ishin 376 mijë tonë, me një rritje 15% nga viti 2017.

Nga kjo sasi, mbi 333 mijë tonë ishin nga Serbia dhe Rusia.

Por në 2018-n, pesha e Rusisë si furnizuesi tradicional i Shqipërisë me grurë ka rënë, por është rritur pesha e Serbisë.

Importet e drithërave nga Serbia ishin 158 mijë tonë, me rritje gati 29% në raport me vitin 2017.

Pesha e Serbisë në importet e drithërave u rrit me 4 pikë përqindje, në 2018 duke zotëruar 42% të tregut nga 38.2% që ishte një vit më parë.

Ndërsa pesha e Rusisë ra me 46% të totalit të importit, nga 49% që kishte qenë më 2017./Burimi:Monitor