Bota në Karantinë – Çfarë Po Ndodh Sot me Koronavirus COVID-19

215 0

Ditën e djeshme zhvillimet mbi koronavirusin e ri morën një tjetër rrjedhë.

Kreu i OBSH deklaroi në një konferencë për shtyp se situata është shqetësuese duke e shpallur më tej COVID-19 një pandemi botërore.

Kjo do të thotë se sëmundja është shpërndarë në pjesën më të madhe të globit ku dhe priten raste të reja orët në vijim.

Çfare po ndodh në botë?

Që pas këtij lajmi të paralajmëruar nga OBSH, vendet kanë marrë masa drastike për parandalimin e këtij infeksioni.

Teksa Italia me më shumë se 60 milionë banorë është vetëizoluar tërësisht edhe vende të tjera kane kufizuar lëvizjet.

Pak orë më parë Presidenti i Amerikës Donald Trump deklaroi se do të kufizojë të gjitha fluturimet me Evropën për një periudhë 30 ditore, por do të vazhdojnë ato me Mbretërinë e Bashkuar.

Vende nga e gjithë bota kanë kufizuar dhe minimizuar lëvizjet dhe jetën normale në to.

SHBA-të po përgatiten për një ligj të veçantë mbi koronavirusin në mënyrë që të ndihmojë të prekurit nga virusi dhe të financojë ata që po vetëizolohen në shtëpi.

Japonia nga ana tjetër po diskuton anullimin e Lojrave Olimpike për këtë vit për shkak të COVID-19.

Kina ka shënuar së fundmi numrin më të ulët të rasteve ndërsa Korea e Jugut ka konfirmuar 114 raste të reja vetëm sot.

Italia po ashtu vazhdon të këtë një situatë të rënduar dhe shtim të rasteve. Që pas deklarimit të pandemisë ditën e djeshme janë mbyllur edhe shumica e dyqaneve dhe supermarketeve.

Franca numëron me shumë se 2 mijë të infektuar dhe 48 vdekje teksa po shton numrin e shkollave dhe qyteteve të izoluara.

Në Greqi është shënuar viktima e parë nga ky virus dhe janë pezulluar shumica e aktiviteteve publike.

Po Shqipëria?

Që prej të hënës vendi është prekur nga COVID-19 ndërsa ditën e djeshme u shënua edhe viktima e parë.

Ditën e sotëme Shqipëria shënon 15 të infektuar dhe më shumë se 100 të dyshuar  me koronavirus.

Shteti Shqiptar ka pezulluar çdo aktivitet dhe lëvizje të qytetarëve duke këshilluar qëndrimin sa më shumë në shtëpi.

Shkolla, bare, restorante, disko apo ambiente të tjera me shume njerëz janë mbyllur deri me datë 3 Prill.

Transporti publik është pezulluar deri në një moment të dytë po ashtu.

Këto masa janë marrë për Tiranën e Durrësin, por situata mund të përshkallëzohet edhe në te gjithë vendin.

Mjekët shprehen të shqetësuar për përballimin e kësaj situate nëse qytetarët nuk bashëpunojnë, teksa vetëm dje në numrin e uegjencës 127 janë rregjistruar më shumë se 10 mijë telefonata.

Sipas të gjitha gjasave dhe paralajmërimeve nga Ministria e Shëndetësisë në vend numri i të prekurve do të shtohet javën që vjen.

Ekspertët bëjnë apel të qëndroni në shtëpi në çdo rast dhe të telefononi numrin 127 nëse keni shqetësime shëndetësore./AgroWeb.org