Sfidat e prodhimit të vajit të ullirit në qarkun e Vlorës

936 0

Qarku i Vlorës synon të kthehet në një rajon të rëndësishëm të kultivimit të ullirit dhe prodhimit të vajit në Shqipëri. Kohët e fundit vihet re një rritje e eksportimit të vajit të ullirit edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prej disa vitesh Agjensia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar USAID po i mbështet prodhuesit për të rritur aftësinë e tyre për eksporte.

Në një fabrikë të vogël në Vlorë, Vesaf Musai që merret familjarisht prej gati 30 vitesh me prodhimin e vajit të ullirit, ndjek hap pas hapi çdo proçes. Fabrika që është rritur vit pas viti dhe ka përmirësuar ndjeshëm teknologjinë tani eksporton vaj ulliri edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm këtë vit, Vesafi thotë se janë eksportuar deri tani rreth 2 mijë litra vaj drejt Shteteve të Bashkuara. Vesafi thotë se janë një seri faktorësh që e bëjnë vajin e ullirit që prodhohet në Vlorë të cilësisë së lartë dhe kjo lidhet sidomos me ullishtet autoktone. Por të konkurosh në eksporte duhet cilësi e lartë, thotë Vesafi.

“Ne ndodhemi në zonën e Vlorës që kemi ullishtet autoktone të cilat janë ullishte shekullore me ullinj kalinjot. Ne prodhojmë vaj të një cilësie të lartë dhe këtu ka të bëjë toka, pozicioni gjeografik, jodi i detit por njëkohësisht ka të bëjë edhe faktori njeri me kohën e vjeljes, mënyrën e e transportit, procesin teknologjik dhe mënyrat e ruajtjes.”

Shqipëria ka rritur vitet e fundit kultivimin e ullirit me rreth 11 milionë rrënjë të regjistruara dhe me një prodhim vjetor në rreth 132 mijë tonë ullinj nga rreth 99 mijë tonë që ishte katër vite më parë. Ndërkohë mbi 350 përpunues të ullirit janë të përfshirë në prodhimin e vajit. Qarku i Vlorës ka mundësi të mëdha si të kultivimit të ullirit dhe të prodhimit të vajit, thotë për Zërin e Amerikës Mëno Besimaj, Drejtor i Qendrës së Transferimit të Teknologjisë Bujqësore në Vlorë, e vetmja qendër e tillë shkencore në Shqipëri.

“Nëse numri i fermerëve do të ishte më i ulët dhe sipërfaqet që ata do të kishin do të ishin më të intesifikuara kuptohej që edhe kapacitete do të rriteshin,prodhimi i ullirit do të rritej, prodhimi vajit do të rritej. Kapacitetet Qarku i Vlorës i ka dhe nuk duhet të ishte Qarku i tretë në Shqipëri për nga prodhimi i ullirit pasi sot është Qarku i Beratit dhe më pas i Fierit që kryesojnë në nivel kombëtar.”

Qeveria shqiptare do t`i përfshijë për herë të parë vitin e ardhshëm fermerët në skemën e mbështetjes me naftë, por sfidat e tyre janë të mëdha dhe kërkojnë më shumë mbështetje.

Vesafi thotë se mbështetja më e madhe duhet të jetë e drejtëpërdrejtë tek fermerët që kultivojnë ullinj.

“Unë them që për shkak të kostove të larta që janë në Shqipëri duhen mbështetur fermerët që ne të punojmë më lirshëm me ta. Kostot e fermerëve që furnizojnë me ullinj fabrikat e vajit janë të larta dhe nuk jemi konkurues si në tregun europian madje dhe atë shqiptar. Them që duhet të ketë mbështetje direkt tek fermerët që të ketë interes sepse do na ndodhë që do lëmë dhe ullirin dhe do merremi me ato punë që merren gjithë të tjerët. Një vëmendje e veçantë i duhet rikthyer kryesisht ullishteve nëpërmjet subvencioneve të fermave dhe fermerëve.”

Një nga vështirësitë për kultivimin e sasive më të mëdha të ullinjve është copëzimi i tokës prej ligjit 7501 , thotë Mëno Besimaj.

“Sidomos tek pjesa e ullirit Qarku i Vlorës ka shumë kapacitete për të shtuar sipërfaqet. Kuptohet, sipërfaqet e ullinjve të vjetër kanë degraduar dhe duhet patjetër të zëvendësohen. Është edhe një vështirësi e Ligjit 7501 që e ka fragmentarizuar tokën. Në këtë sipërfaqe me rreth 11 milionë pemë ullinj të mbjella në Shqipëri janë rreth 148 mijë fermerë që e kanë këtë sipërfaqe, një numër shumë i lartë që nuk i lejon të merren në mënyrë intensive me këtë aktivitet.”

Shqipëria kryeson në Ballkanin Perëndimor për kultivimin dhe prodhimin e vajit të ullirit një pjesë e të cilit eksportohet duke siguruar të ardhura vjetore që i kalojnë të 50 milionë dollarët.

Ministria e Bujqësisë thotë se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur me 30% në vitin 2021 krahasuar me një vit më parë ndërsa mundësitë për rritjen e eksporteve janë shumë herë më të mëdha. Agjensia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar USAID prej disa vitesh i ka mbështetur fermerët të rrisin cilësinë e vajit të ullirit dhe të gjejnë rrugë të reja eksportimi.

Periudha e pandemisë rriti sipas ekspertëve kërkesën për vajin e ullirit ekstra virxhin si edhe për shumë produkte organike./Burimi: VOA