Vaji i ullirit, në kaos nga mbiprodhimi

662 0

Vitin e kaluar, prodhimi i vajit të ullirit u rrit ndjeshëm. Përpunuesit kryesorë pohuan se në treg pati mbiprodhim, por paralajmërojnë përsëritjen e situatës kaotike të 2012-s (kishte mbiprodhim, ndërsa shitjet e vajit të ullirit zgjatën 4 vjet deri në 2016). Në anën tjetër, konsumi është rritur, pasi në pandemi kërkesat e individëve për produkte të shëndetshme ishin të larta. Kufizimi i lëvizjeve në karantinë ndaloi prurjet individuale të vajit të ullirit nga familjarët nëpërmjet Greqisë.

Pavarësisht kësaj, kompanitë kryesore të prodhimit dhe paketimit të vajit të ullirit ende vuajnë informalitetin e lartë të shitjeve. Disa prej tyre paralajmërojnë rritje të çmimit të shitjes, pasi kërkesat e fermerëve për shitje pa TVSH dhe kostoja e lartë e analizave për cilësinë e ullirit i ka detyruar të importojnë lëndën e parë nga jashtë. Mbiprodhimi konsiderohet i leverdishëm vetëm për fermerët, që pjesa më e madhe e tyre e shesin vajin e ullirit në tregun e zi.

Për shkak të mbiprodhimit, ndryshimit të konsumit dhe çmimit të shitjes, kompanitë në vend nuk mund ta shfrytëzojnë rritjen e kapacitetit përpunues (shumica e njësive të prodhimit të ullirit prej vitesh vinin në punë 18% të kapaciteteve të tyre) për më shumë shitje brenda dhe jashtë vendit. Vaji i ullirit nuk është si pija e verës (që bëhet më e mirë me kalimin e kohës) dhe staxhionimi mbi 24 muaj e bën të pakonsumueshëm. Operatorët nuk janë në gjendje të eksportojnë sasi të lartë, pasi luhatshmëria drastike e prodhimit nga një vit në tjetrin nuk i favorizon për kontrata afatgjata me të huajt.

Kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit në vend, znj. Silvana Pinari, tha për “Monitor” se mbiprodhimi i 2020-s ka çorientuar parametrat e tregtimit të vajit të ullirit në Shqipëri për këtë vit.
“Për sezonin tetor, nëntor-dhjetor të vitit kaluar (sipas vitit bujqësor, kjo është periudha e mbledhjes së ullirit, ndërsa shitjet nisin nga janari 2021) u arrit superprodhim i vajit të ullirit.

Prej vitesh, vetëm gjysma e rrënjëve prodhonin ullinj, rendimenti ishte i ulët, ndërsa vitin e kaluar, 90% e ullinjve kishin prodhim të lartë. Mbiprodhimi ka çorientuar parametrat e tregtimit të vajit të ullirit në Shqipëri. Çmimi i shitjes së vajit të ullirit ka pësuar rënie drastike. Pas nëntorit, vaji i ullirit u shit 450 lekë deri në 500 lekë për litër me shumicë, ndërkohë që para kësaj periudhe shitej 800 lekë për litër. Këtë vit, kostoja e mirëmbajtjes së ullinjve nuk justifikohet me çmimin e shitjes së vajit.

Në anën tjetër, konsumatorët janë të çorientuar dhe mendojnë: A të blejmë vaj me çmim të lirë apo jo? Çfarë lloj vaji ulliri po marrim? A është më i mirë ai me çmim 800 lekë apo ai me çmim 500 lekë? As unë nuk jam në gjendje ta them këtë, por jam e bindur që vaji i prodhuar në 2020 do të qarkullojë në treg për 4 vite me radhë, sepse nuk ka fuqi konsumatore për kaq shumë vaj që është prodhuar. Do të përsëritet e njëjta situatë si në 2012-n, kur para këtij viti prodhimi i vajit të ullirit ishte shumë i ulët, ndërsa mbiprodhimi u desh të shitej për 4 vite rresht”, shpjegoi znj. Pinari.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 tonë vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi u rrit 50%. Në 2013, prodhimi shënoi rënie 23%. Përpunuesit thonë se rënia erdhi tërësisht nga prodhimi i kufizuar i ullirit, pasi ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit. Për periudhën 2009-2019, tendenca e prodhimit është e luhatshme. Në 2019 janë prodhuar 20 mijë tonë vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi shënoi rritje të lehtë në 2%.

Informaliteti i lartë i tregut

Tregtimi informal nga fermerët dhe falsifikimet në treg kanë dëmtuar shitjen e drejtpërdrejtë të vajit të ullirit. Për një ndër prodhuesit më të mëdhenj të vajit të ullirit në Shqipëri, z. Ylli Hajdini, nga kompania “S.E.D – Borshi”, konsumi i dukshëm në këtë periudhë mbiprodhimi është tkurrur. Faktori kryesor që qëndron pas këtij hendeku, sipas tij, është mosraportimi i vajit të ullirit të prodhuar në rrugë informale, e cila është forma kryesore e shitjes. “Në treg, 90% e vajit që shitet prodhohet në rrugë informale nga fermerët, 5% e kërkesës së tregut plotësohet nga kompanitë e prodhimit dhe 5% nga vaji i ambalazhuar i importit”.

Edhe sipas ekspertit të bujqësisë, Ervin Resuli për 2020 kishte mbiprodhim të vajit të ullirit, por te kjo industri shumica e shitjeve janë informale. “Janë të shumtë fermerët që kultivojnë ullirin dhe vajin e prodhuar e shesin në tregun e zi apo tek të afërmit. Problem tjetër në këtë treg është edhe falsifikimi i lartë i vajit të shitur. Analiza e vajit është specifike, nuk është e lehtë të kryhet”.

Për kryetaren e Shoqatës së Prodhuesve, Silvana Pinari, tregtimi i vajit të ullirit është i pamundur të kontrollohet nga institucionet shtetërore, pasi sasia e konsiderueshme e produktit shitet nga vetë fermerët që janë kultivues të vegjël të ullirit deri në 50 rrënjë.

Çmimi i vajit të ullirit do të rritet

Kompanitë e mëdha të prodhimit të vajit të ullirit shprehen se mbiprodhimi i lartë në treg po favorizon më tepër për shitjet fermerin. Administratori i vajit “Borshi”, Ylli Hajdini, pohon se pjesa kryesore e furnizimit me lëndë të parë do të jetë nga importi. Informaliteti i lartë i shitjeve nga fermerët dhe kostot e mëdha për kryerjen e analizave të ullirit në vend konsiderohen faktorët kryesorë për furnizime nga importi.

“Çmimi i vajit të ullirit do të shënojë rritje të lehtë, për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet e huaja dhe shtrenjtimit të transportit. Duke qenë se tregu është informal, nuk na intereson ta blejmë ullirin nga fermerët, pasi në shumicën e rasteve kërkojnë ta shesin pa TVSH, ndërsa shitjet e vajit janë 20% me TVSH. Problem tjetër është edhe kostoja e lartë e kryerjes së analizave. Nëse furnizohemi nga fermerët vendas për një ngarkesë prej 50 kg ulli çmimi i analizave është 5 deri në 6 mijë lekë. Nëse furnizohem nga fabrikat për një sasi prej 30 tonësh, analizohet një mostër e ullirit dhe më pas certifikohet ngarkesa.

Furnizimi nga fabrikat kryhet direkt në kohën e prodhimit. Në këtë periudhë, oferta është e lartë, por mund të ndodhë që likuiditeti i kompanive të jetë i pamjaftueshëm, ndërsa vetë nuk disponojmë prodhim. Prandaj është më e leverdishme që furnizimin me lëndë të parë ta kryejmë nga importi. Vitin e kaluar pati mbiprodhim të ullinjve, por më shumë do të përdoren nga fermerët, që më pas do ta shesin vajin në tregun informal”. Edhe operatorë të tjerë në vend pohuan rritje të çmimit të vajit të ullirit deri në 5%, për shkak të kostove në cilësinë e prodhimit.

Si e ndryshoi pandemia konsumin

Sipas kryetares së Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, kriza nga Covid-19 rriti konsumin e vajit të ullirit. “Konsumi i vajit të ullirit është rritur, pasi njerëzit në këtë periudhë pandemie kanë rritur kërkesën për produkte të shëndetshme, siç është vaji i ullirit ekstra virxhin dhe mosardhja e vajit të ullirit me teneqe nga autobusët e Greqisë. Konsumi parashikohet të rritet”, pohon znj. Pinari.

Prej 20 vitesh, Kastrijot Çuedari kultivon varietetin e ullirit kokërrmadh të Beratit për tavolinë dhe ka hyrë në vitin e pestë të prodhimit të vajit të ullirit ekstra virxhin. Shqetësim për të është kufizimi i orarit të lëvizjeve. “Në 2019, prodhimi i ullirit ishte shumë i ulët dhe në pikat e shumicës të shitjes së vajit të ullirit janë furnizuar me produkt të ardhur nga Greqia. Për 2020, prodhimi ishte shumë i lartë, por konsumi pati rënie për shkak të kufizimit të orarit të restoranteve dhe rënies së fluksit të frekuentimit nga Covid-19. Shitjet për Krishtlindje dhe në fundvit ishin katastrofike. Pandemia vazhdon të ndikojë te shitjet dhe për këtë arsye jemi në vështirësi serioze”, nënvizon Çuedari.

Ndryshimi i skemës së TVSH-së në 2019 dëmtoi edhe industrinë e prodhimit të vajit. “Problemi kryesor i vajit të ullirit është ulja e TVSH-së të subvencionushme nga 20% në 6% që po ndikon në koston e prodhimit. Për këtë arsye është më e leverdishme që me këto kosto, vaji i ullirit të importohet nga Greqia sesa të prodhohet në vend”, pohon përfaqësuesi i kompanisë “Çuedari”. Skema e miratuar në 2019 vijon të mbetet problem për prodhuesit me xhiro mbi 14 milionë lekë në vit.

Skema e shkallëzimit të TVSH-së ishte e tillë: për blerjet e ullinjve te fermeri, prodhuesit e vajit të ullirit rimbursohen 6%, ndërsa në momentin që vaji shitet me 20% TVSH, humbjet janë 14%.
Kjo skemë, sipas ekspertit të bujqësisë, Ervin Resuli prek edhe eksportuesit. Shkallëzimi i skemës të rimbursimit të TVSh-së dhe mosmbështetja e eksportuesve ka ulur interesin e kompanive të vajit të ullirit për gjetjen e tregjeve të reja.

“Për eksportuesit shqiptar tregu i huaj nuk është më atraktiv, pasi TVSH-ja e rimbursueshme në doganë është 6% nga 20% që ishte më parë. P.sh, nëse blinte vaj me çmim 600 lekë automatikisht në doganë kishte 120 lekë më pak. Eksportuesit abuzuan në të kaluarën me skemën e TVSH-së, duke lëshuar fatura fiktive dhe duke kryer pagesa nën dorë. Kjo i mundësonte të kishin më shumë të ardhura dhe të gjenin tregje për eksporte. Rimbursimi 6% nuk është më atraktiv për ta. Nga shteti nuk ekziston asnjë skemë mbështetëse për kostot e eksportuesit që t’i nxisin për gjetjen e tregjeve të reja”.

Konsumi për frymë

Konsumi i dukshëm i vajit të ullirit në Shqipëri për 2019 është më pak se 1 litër/për frymë në vit (sipas vlerësimeve për 20,038 tonë vaj ulliri të prodhuar, duke pasur parasysh popullsinë). Greqia mban rekordin më të lartë të konsumit të vajit të ullirit, rreth 24 litra për frymë. Më pas vjen Spanja me 14 litra për frymë dhe Italia, 12.5 litra për frymë. Ndër shtetet me konsum të lartë të vajit të ullirit është edhe Tunizia me 11 litra për frymë në vit.

SHBA është një ndër vendet ku konsumi i vajit të ullirit për frymë është nën 1 litër në vit. Për shtetet si Turqia dhe Maroku, konsumi i vajit të ullirit është 1,1 dhe 1,8 litër për person në vit. Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT në 2019 janë të mbjella 10, 288 rrënjë ulliri. Krahasuar me 1 vit më parë rrënjët e mbjella janë shtuar rreth 3 për qind. Në 10 vitet e fundit totali i rrënjëve të ullirit ka qenë në rritje./Burimi:Monitor