Gjelbërim për të marrë frymë

1k 0

Një nga pyetjet që njerëzit i bëjnë më shpesh vetes është nëse veprimet e tyre individuale me të vërtetë mund të bëjnë ndryshimin. Nëse vendosni të ricikloni, të kujdeseni për plehrat, të mos prisni pemë, të ulni ndotjen dhe të refuzoni të përdorni qese plastike, a ka ndonjë efekt? A ka ndonjë farë vlere në fund të fundit? A kontribuon ky veprim i vogël individual që në botë të ketë më pak ndotje dhe më shumë gjelbërim?

Përgjigjia është po. Por fakti që zgjedh të mos mbash qese plastike a ndihmon që qeset plastike të mos ndosin më plazhet e detet tona? Sigurisht që jo.

Por veprimet tona janë akumulative dhe ne e kemi krijuar vetë këtë katrahurë mjedisore, kështu që na takon ne që të ndryshojmë, duke ndryshuar sjelljen tonë si individë dhe duke e kërkuar më pas tek qeverisja.

Nesër është Dita e Tokës, e cila për shumë syresh mund të duket si një klishe, por për shumë të tjerë shihet pikërisht si një moment reflektimi për atë që i kemi bërë tokës dhe si duhet të veprojmë për ta shpëtuar.

Ndërgjegjësimi është rritur shumë krahasuar me vitet 70, kur dhe është krijuar Dita e Tokës gjatë një manifestimi më 22 Prill 1970, ku me miliona amerikanë nga bota e Akademisë, por dhe e shoqatave të ndryshme krijuan Rrjetin e Ditës së Tokës. Por edhe dëmi që i kemi bërë Tokës është dhjetëfishuar që nga ajo kohë, duke e privuar atë nga një pjesë e mushëkrive të saj: pyjet.Për këtë arsye këtë vit pyjet dhe mirëmbajtja e tyre janë tema kryesore e festimeve të Ditës së Tokës.

Si në çdo vend të botës, ashtu edhe në Shqipëri në nder të kësaj dite do të organizohen evente të shumta si mbjellje pemësh nga Bashkia e Tiranës deri tek forumet e hapura nga Agjencia e Parqeve për mënyrat më të mira se si të ruajmë pemët dhe të investojmë më shumë për të pasur një mjedis sa më të gjelbër.

Për të kuptuar se sa të pagjelbër e kemi mjedisin dhe sa i ndotur është ambjenti mjafton ti hedhim sytë jashtë dritareve tona. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit, veçanërisht në Tiranë i ka marrë jetën rreth 500 vetëve. Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit i publikuar në vitin 2014, thotë se në një kohë që disa shtete Evropiane vuajnë nga ndotja që kalon nivelet e lejuara të Bashkimit Evropian prej 50 µg/m³ në ditë, në Tiranë ky limit tejkalohet në 102 ditë të vitit dhe vetëm në një nga katër zonat e monitoruara.

Ndotja e ajrit vret sepse ne nuk kemi pemë që të pastrojnë ajrin nga gazrat (nitrogen oxides, ammonia, sulfur dioxide and ozone) dhe të filtrojë elementët e dëmshëm.

Pemët thithin tepricat e dioksidit të karbonit nga atmosfera. Në fakt, në një vit të vetëm, një hektar me pemë përthith të njëjtin sasi dioksidi karboni që prodhohet nga një makinë që udhëton përafërsit 42 mijë kilometra.

Që pas rënies së Komunizmit dhe gjatë 26 viteve të fundit, në Shqipëri janë djegur ose prerë në mënyrë barbare plot 1.4 milion hektarë pyje. Mesatarisht bëhet fjalë për 2.5 milionë pemë të prera çdo vit.

Shqipëria është nga të paktat vende Evropiane që ka shënuar një rënie të zonave të pyllëzuara në dekadat e fundit për shkak të procesit të shpyllëzimit si pasojë e bujqësisë, kullotave dhe prerjes së druve për ngrohje. Ky proces ka zënë fill veçanërisht në periudhën e tranzicionit në vitet 90.

Sot, në vendin tonë, ashtu si në të gjithë botën, do të zhvillohen evente të ndryshme për mbjelljen e pemëve, forume të hapura, nënshkrime peticionesh, në mënyrë që të bëjmë zgjedhje më të mençura në lidhje me konsumimin dhe të mësojmë të ruajmë tokën.

Evente, të cilat padyshim do të publikohen, komentohen dhe ndahen me miqtë në rrjetet e shumta sociale, si një mënyrë e duhur për të na treguar të gjithëve ne, se toka duhet respektuar dhe ruajtur çdo ditë. Dita e Tokës nuk duhet të shihet si Dita e Shën Valentinit për dashurinë. Ne duhet ta duam Tokën 365 ditë dhe jo vetëm më 22 Prill. /AgroWeb.org/ 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.