Shishja e Vaksinës së Parë Anti-Covid do të Vendoset në Muze

339 0

Shishja dhe shiringa e parë e përdorur për vaksinën anti-Covid të Pfizer, do të vendoset në Muzeun e Shkencës në Londër.

Vaksina e parë iu dha një gruaje 90-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, Margaret Keenan, më 8 dhjetor.

Shishja historike, dhe shiringa që u përdor, do të ekspozohen kështu që prej fillimit të vitit të ardhshëm në Muzeun Shkencor të Londrës, përkatësisht në pavijonin e historisë së mjekësisë.

Vaksina mund të konsiderohet së shpejti edhe si një prej triumfeve më të mëdhenj të shkencës, pasi ofron një dritë shprese pas një viti të gjatë në pandemi, ku deri tani mbi 1,6 milionë vetë kanë humbur jetën.

Vaksina e realizuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, ka rezultuar nga testimet se është 95% efektive.

Ajo ka marrë miratim për përdorim në disa shtete, por Britania e Madhe ishte e para.

Përveç saj, një vaksinë anti-Covid ka prodhuar edhe kompania tjetër amerikane Moderna, ndërsa Kina dhe Rusia kanë nisur prej disa javësh tashmë të vaksinojnë popullatën me vaksina të prodhuara “në shtëpi”.

Burimi: Business Magazine