Infektuar me Salmonelë – Bllokohen Mbi 50 Tonelata Mish Importi Nga Brazili

568 0

Dy kontenierë të mëdhenj, me një sasi prej 50.2 ton mish të importuar nga Brazili është bllokuar sot nga autoritetet shqiptare.

Pas një kontrolli të inspektorëve të AKU ndaj këtyre ngarkesave, AgroWeb.org ju njofton se rezultoi se mishi që vinte nga Brazili me destinacion tregun shqiptar ishte i infektuar me salmonelë.

Lajmi është njoftuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili nuk sqaron se për çfarë lloj  mishi bëhet fjalë duke e specifikuar sasinë e bllokuar si ngarkesë me produkte shtazore mishi.

“Në kuadër të masave të gjithanshme të MBZHR-së për kontroll efikas për sigurinë ushqimore, AKU ka vijuar me kontrollet rigoroze të ngarkesave me produkte shtazore nga importi.

Kështu së fundi AKU ka bllokuar dy kontenierë me mish, të importuara nga Brazili, në total 50.2 tonë mish, pasi nga analizimi i mostrave u konstatuan me prezencë “salmonella”.

Po vijojnë procedurat për kthimin në origjinë të produktit, deklaron AKU.

Gjatë këtij viti nga AKU-ja janë bllokuar e kthyer në origjinë edhe 5 kontenierë të tjerë, me 130 tonë mish.

Numri total i ngarkesave të importuara nga Brazili gjatë kësaj periudhe të vitit është 195 kontenierë; secili prej të cilëve është kontrolluar e analizuar me rigorozitet.

E dyta ngarkesë me mish e bllokuar në pak javë në Shqipëri

Në harkun kohor të disa javëve, kjo është ngarkesa e dytë e bllokuar nga AKU me mish të importuar nga Brazili.

Më datë 24 maj të këtij viti, 53 ton mish i importuar nga Brazili, për të njëjtën shkak si edhe sot, kontanimini i ngarkesave me Salmonelë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kontrollon dhe realizon analizat e çdo ngarkese mishi nga Brazili për të garantuar në mënyrë të plotë sigurinë ushqimore të produktit që importohen.

AKU dhe Ministria e Bujqësisë po kryejnë hetim të detajuar për itinerarin e këtyre kontenierëve dhe nga ana tjetër garanton se siguria e produkteve të importuara, që qarkullojnë në tregun shqiptar është e plotë.

Çfarë po ndodh me produktet e mishit nga Brazili?

Që nga muaji mars deri ne qershor të vitit 2018, janë bllokuar një numër mjaft i lartë ngarkesash me tonelata mish nga Brazili, kryesisht mish pule.

Mbi 15 ngarkesa me mijëra tonelata mish Brazili janë kthyer mbrapsht, sekuestruar ose asgjësuar nga autoritetet doganore dhe ato të kontrollit të ushqimit të Gjermanisë, Italisë, Anglisë, Belgjikës, Hollandës, etj

Në pjesën dërrmuese të rasteve, sasitë e mishit kanë qenë të infektuara me Salmonelë, por ka pasur edhe prani të bakterieve të rrezikshme Escherichia Coli, kryesisht në Itali./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.