A do të jenë në gjendje vaksinat të ndalojnë përhapjen e variantit delta?

344 0

Ka shenja të hershme që njerëzit e vaksinuar mund të transmetojnë variantin delta aq lehtë sa njerëzit e pa vaksinuar, njoftoi Agjencia Shtetërore e Shëndetit Publik të Anglisë (PHE).

Gjetjet përkojnë me atë që thanë Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) javën e kaluar, ku ata paralajmëruan se njerëzit e vaksinuar të infektuar me llojin delta, ndryshe nga llojet e tjera, mund të përhapin infeksionin.

Lloji i koronavirusit delta ngjitës është dominues globalisht dhe mban një pandemi që ka vrarë më shumë se 4.4 milionë njerëz, përfshirë më shumë se 130.000 në Britaninë e Madhe.

Vaksinat janë treguar se ofrojnë mbrojtje të mirë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve pas infektimit me delta, veçanërisht dy doza, por ka më pak të dhëna nëse individët e vaksinuar ende mund ta përhapin virusin te të tjerët.

“Disa gjetje fillestare sugjerojnë që nivelet e virusit në ata të infektuar me variantin delta dhe të vaksinuar mund të jenë të ngjashme me ato të gjetura në individë të pa vaksinuar,” tha PHE.

“Mund të ketë pasoja për infektimin e njerëzve, pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo. Por kjo është një analizë e hershme kërkimore dhe kërkohen studime të tjera të synuara për të konfirmuar nëse është kështu,” shton PHE.

PHE raportoi se që nga 19 qershori, në mesin e individëve të shtruar në spital të infektuar me llojin delta, 55.1 për qind ishin të pa vaksinuar dhe 34.9 për qind kishin marrë të dyja dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Gati 75 për qind e popullsisë britanike morën të dyja dozat, dhe PHE thotë se “sa më shumë njerëz të vaksinohen, një përqindje më e lartë relative e atyre të vaksinuar në spital do të shihet”.

PHE gjithashtu thekson se një lloj tjetër, i njohur si B.1.621, i cili u zbulua në Kolumbi, tregon shenja të shmangies së një përgjigje imune nga vaksinat ose infeksioni i mëparshëm.

PHE deklaroi se varianti ishte “nën hetim”, por nuk e deklaroi atë një “lloj shqetësues” – një etiketë që mund të inkurajojë një reagim të fortë politik.

“Ka prova paraprake laboratorike që sugjerojnë se vaksinimi dhe infeksioni i mëparshëm mund të jenë më pak efektivë në parandalimin e infeksionit B.1.621,” tha PHE, duke shtuar se 37 raste të llojit ishin konfirmuar në Angli.

“Sidoqoftë, këto të dhëna janë shumë të kufizuara dhe nevojiten kërkime shtesë. Nuk ka asnjë provë që sugjeron se është më i transmetueshëm sesa lloji dominues delta,” njoftoi agjencia angleze./KosovaPress