Antibiotikët- A Rrisin Rrezikun E Obezitetit Tek Fëmijët

287 0

Një studim amerikan thotë se fëmijët nën moshën 2 vjeç të cilëve u jepen antibiotikë, kanë më shumë gjasa që gjatë fëmijërisë së tyre të jenë obezë.

Zbulimi bazohet në analizat e të dhënave të mijëra fëmijëve që kishin marrë antiobiotikë në vitet e para të jetës.

Antibiotikët Prishin Mikrobiomën

Sipas shkencëtarëve, antibiotikët janë medikamente shumë të forta që prishin mikrobiomën delikate në stomakun e fëmijëve.

Mikrobioma e fëmijëve të vegjël është e mbushur me baktere kryesisht të mira që i mbrojnë ata nga sëmundjet e ndryshme ku përfshihet edhe azma.

Në trajtimet e rasteve të refluksit acidit, infeksioneve apo virozave, fëmijëve u jepen medikamente që shpesh nuk janë të nevojshme.

Për shembull refluksi acidik është një gjë shumë normale tek foshnjat dhe nuk është e nevojshme që ata të marrin medikamente.

Për më tepër, shumica e këtyre fëmijëve e kapërcejnë këtë problem menjëherë sapo mbushin dy vjeç.

Antibiotikët Dhe Mbipesha

Në studimin e publikuar në revistën Gut, shkencëtarët shpjeguan se analizuan të dhënat e 333,000 fëmijëve të lindur nga viti 2006 deri në vitin 2013.

Më shumë se 241,000 prej tyre, kishin marrë antibiotikë përpara moshës 2 vjeçare.

Bazuar në vizitat e kryera tek pediatri pas moshës 2 vjeçare deri në moshën 8 vjeçare, u zbulua se 47,000 fëmijë ishin obezë.

9,600 prej tyre nuk kishin marrë kurrë antibiotikë. Pjesa tjetër kishin marrë antibiotikë përpara moshës 2 vjeçare.

Bazuar në këto të dhëna, shkencëtarët arritën në konkluzionin se fëmijët që kishin marrë antibiotikë para se të mbushnin 2 vjeç ishin 26% më të rrezikuar nga obeziteti.

Rreziku rritej nëse fëmijë kishte marrë antibiotikë për një kohë më të gjatë.

Shkencëtarët thanë se gjetjet e këtij studimi kishin zbuluar një lidhje mes antibiotikëve dhe obezitetit.

Megjithatë, këto çështje kanë nevojë për shumë kërkime shkencore për të kuptuar më mirë shkakun dhe pasojën.

Obeziteti në veçanti është një problem që ndikohet nga shumë faktorë.

Këtu përfshihen faktorët genetikë, mjedisorë, ushqyerja dhe jo vetëm antibiotikët./AgroWeb.org