Bakteri Vdekjeprurës Që U Reziston Antibiotikëve Del Jashtë Spitaleve

873 0

Shkencëtarët janë të alarmuar në lidhje me zbulimin e një bakteri vdekjeprurës që ka gjetur terren të përshtatshëm zhvillimi jashtë spitaleve.

Në Britaninë e Madhe, shkencëtarët zbuluan se bakteri MRSA  (Methicillin-resistant Staphylococus aureus) terreni i të cilit kanë qenë ambientet spitalore, është shpërndarë gjërësisht në ambiente të hapura duke ndikuar seriozisht shëndetin e disa komuniteteve.

Ky bakter është tepër i vështirë për tu trajtuar.

Ai mund të jetë vdekjeprurës sepse u reziston shumë prej antibiotikëve.

30 përqind e njerëzve janë bartës të stafilokokut – në duar apo hundë- dhe janë të pavetëdijshëm për këtë.

Ky bakter mund ta pushtojë qarkullimin e gjakut dhe të çlirojë toksina helmuese të cilat mund tu marrin jetën 1/5 së pacientëve të infektuar.

Tani ai mund të shpërndahet shumë lehtë nga pacienti i shtruar në spital tek vizitorët e tij e më tej në komunitet.

Ndërkohë, në spitalet e Australisë, shkencëtarët kanë dhënë alarmin në lidhje me shumë baktere të tjera që u rezistojnë antibiotikëve, të cilat po shpërndahen përtej ambienteve spitalore.

Gjetjet shqetësuese të studimeve të shkencëtarëve tregojnë se bakteret po kthehen në një kërcënim në rritje, pavarësisht antibiotikëve apo edhe përdorimit të lartë të disinfektuesve të duarve që përdor popullata e gjërë.

Në rastin e Australisë, studimi 19 vjeçar zbuloi se bakteret kanë tashmë gjasa më të larta për të mbijetuar në ambiente të sterilizuara.

Nëse ky trend do të vazhdojë, atëherë spitalet do ta kenë të pamundur të shmangin apo pengojnë shpërthimin e epidemive.

Në këtë mënyrë, një vend shërues dhe mbrojtës mund të kthehet shumë mirë në gjenezën e një epidemie të frikshme.

Rreziku I Baktereve Që U Rezistojnë Antibiotikëve

Çdo vit, 700,000 njerëz vdesin në mbarë globin si pasojë e infeksioneve që u rezistojnë medikamenteve.

Por deri në vitin 2050, ky numër mund të arrijë deri në 10 milionë.

Kjo do të shënojë nisjen e një apokalipsi ose fundit të mjekësisë moderne.

Prania e këtyre baktereve do të vështirësojë trajtimet kirurgjikale dhe ato kundër kancerit.

Nëse antibiotikët nuk janë më efikasë, transplantet mund të kthehen në një kujtim të largët.

Më Shumë Nevojë, Më Pak Ilaçe

Rezistenca ndaj antibiotikëve ka kontribuar në një rritje të ndjeshme të kërkesës për to.

Më parë një infeksion mund të trajtohej me një kurë pesë ditore me 1 lloj antibiotiku.

Tani duhet një regjim shumëjavor me dy ose tre lloje antibiotikësh.

Pencilina nuk funksionon më ndaj sëmundjeve si pneumonia, tuberkulozi e të tjerë,

Së dyti, ritmi i prodhimit të antibiotikëve të rinj ka rënë në mënyrë drastike.

Industria farmaceutike i ka përqendruar energjitë e saj tek lufta kundër kancerit dhe sëmundjeve të tjera kronike që prodhojnë më shumë para.

Hera e fundit që kjo industri ka prodhuar antibiotikë ka qenë në vitet 80’.

Situata Me Antibiotikët Në Shqipëri

Sipas mjekut pneumolog pranë Spitalit Universitar të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, keqpërdorimi me antibiotikët në vendin tonë është në nivele ekstreme.

“Në vendin tonë ka një keqpërdorim ekstrem të antibiotikëve. Madje nuk krahasohemi as me Kosovën. Rreth 80% e rasteve trajtohen me antibiotikë dhe vetëm 20% jo, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta, 20% të trajtoheshin e 80% jo, ” u shpreh ai në një intervistë për Balkanweb.

Të dhënat më të fundit tregojnë se konsumi i antibiotikëve në Shqipëri përafron me atë të vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.

Ky konsum përllogaritet në 22.7 doza për 1 mijë banorë.

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë rregullisht thirrje kundër marrjes së pakontrolluar të antibiotikëve. Kjo gjë  mund të sjellë rreziqe serioze për shëndetin. /AgroWeb.org

Burimet informative dhe shkencore të lajmit në linket 1 dhe 2

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.