Mjeku Balliu Sqaron Efektet e Mutacionit Britanik – Faktet e Reja

368 0

Në një intervistë për Euronews Albania, mjeku Gazmir Balliu i cili punon në Mbretërinë e Bashkuar tregoi se numri i të prekurve atje dhe i atyre që kanë humbur jetën në luftë me COVID-19 sa vjen e rritet.

“Kundër kësaj pandemie ne jemi aq të fortë sa do jetë dhe hallka e zinxhirit të vaksinimit. Nëse Britania, Europa apo Amerika arrin të vaksinojë një numër të madh të popullsisë, por vendet e tjera nuk do të vaksinohen atëherë është rreziku që variante të reja të virusit mund të dalin,” – u shpreh mjeku teksa theksoi se ka mundësi që ndaj varianteve të reja që mund të dalin vaksinat aktuale mos të jenë efektive.

Ai foli rreth studimeve që tregojnë se në 1000 persona COVID-19 ju merr jetën 10 personave ndërkohë që mutacioni i ri i virusit qëndron në raportin 13 në 1000.

“Është pak rritja e vdekshmërisë, por më tepër ndikon shtesa që është bërë në sistemin e shëndetit. Më shumë të sëmurë kanë nevojë për mjekë, më shumë të sëmurë po shkojnë nëpër spitale,” – tha mjeku teksa theksoi se ende nuk kemi të bëjmë me një kolaps të sistemit shëndetësor.

Sa i takon vaksinimit, Balliu sqaroi se në Angli gjithçka po shkon si duhet. Në Staffordshire, aty ku ai ushtron profesionin procesi po ecën me ritmet e duhura. Qendrat e të moshuarve së bashku me personelin janë vaksinuar.

Ndryshimet e variantit britanik, atij të Afrikës së Jugut apo atij brazilian janë të dukshme vetëm në sipërfaqe të virusit, aty ku ai do të takohet me qelizën e njeriut që të futet sa më lehtë në qelizë.

Sipas mjekut Balliu, varianti brazilian dhe ai i Afrikës së Jugut kanë një strukturë të tillë që e bëjnë më të lehtë hyrjen në trupin e njeriut.

“Ajo çfarë është më e rëndësishme është se vaksinat që gjenden në treg mendohet të jenë efektive përkundrejt mutacioneve të COVID. Megjithatë tani po mendohet se Pfizer dhe Moderna do të sjellin në treg një vaksinë përforcuese,” – sqaroi Balliu./Burimi:Euro News