Burg Prodhuesve që Mashtrojnë me Sigurinë Ushqimore

227 0

Deri në 15 vjet heqje lirie do të jetë dënimi penal për të gjitha ata sipërmarrës, prodhues apo fermerë të cilët do të mashtrojnë me produktet ushqimore.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal në lidhje me sigurinë ushqimore u prezantuan dje për grupet e interesit nga Ministri i Bujquesisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Sot referohen dhe janë 65 materiale dhe siç e thashë edhe më parë përfundojnë në kosh dhe ne jemi të vendosur për ndëshkim me heqje lirie, dhe ndalim përgjithmonë të personit për t’u marrë me atë aktivitet dhe patjetër edhe me dëmshpërblimet përkatëse. Për abuzuesit do të shkojmë me propozim nga 10-15 vite burg dhe heqje e të drejtës për t’u marrë me këtë aktivitet edhe pasi të dalësh nga burgu” u shpreh Kryeministri Rama.

Më poshtë, AgroWeb.org ju sjell më poshtë ndryshimet e plota zyrtare que do pësojë Kodi Penal Në Lidhje me Sigurinë Ushqimore.

Grupet e Interesit diskutojnë për ndryshimet në Kodin Penal mbi Sigurine Ushqimore.

Ndryshimet në Kodin Penal, Ndëshkime Të Rrepta për Shkelësit e Sigurisë Ushqimore

“Neni 288/c

Importimi, prodhimi dhe tregtimi i ushqimeve, pijeve, barnave dhe artikujve të tjerë ushqimorë jashtë afatit të përdorimit

Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë

mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, barnave, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve pas afatit të përdorimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 288/d

Mashtrimi me produktet ushqimore

Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, falsifikimi, shitja apo vendosja në qarkullim në

ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, barnave, materialeve dhe lëndëve shtesë në

prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, në të cilën janë shënuar të dhëna të

cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, origjinës, sasisë apo

cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme, siç parashikohet në

legjislacionin në fuqi, ose paraqitja e të dhënave të rreme në etiketimin e produkteve

ushqimore apo barnave, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda

për shëndetin e njeriut, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 288/e

Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore

Thyerja, heqja, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave të sigurisë të vendosura nga organet shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore për qëllime mbikqyrjeje ose kontrolli ose pezullimi të veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike, mbi mjetet e transportit ose mbi mallra, me qëllim zhvleftësimin e masave të marra, lëvizjen e mallrave ushqimore ose rifillimin e aktivitetit, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet për mallra të kontaminuara ose të paidentifikuara, dënohet me

burgim deri në pesë vjet.”

BE, Program të Posaçëm për Shqipërinë mbi Sigurinë Ushqimore

Për t’i dhënë fund pasigurisë ushqimore, Shqipëria do të përfitojë nga programi i Bashkimit Europian “Mbështetje për Sigurinë Ushqimore, Standardet Veterinare dhe Fitosanitare”

Programi ka nisur dhe do të realizohet dhe mbikqyret  nga një ekip eksperësh të organeve publike nga Shtetet Anëtare të BE-së, i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës.

Pjesë e këtij ekipi është gjithashtu Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Finlandës, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës të Irlandës, si dhe CBS Creative Business Solutions në Shqipëri.

Irlanda rradhitet në mesin e shembujve kryesorë në botë për sigurinë dhe mbrojtjen ushqimore.

Në kuadrin e projektit ato do ta sjellin këtë përvojë në Shqipëri për të forcuar sigurinë e saj ushqimore, sistemet veterinare dhe fitosanitare në përputhje me standardet e BE-së./Agroweb.org