Byreçka të Ëmbla Shtëpie – Të Shkrifëta dhe Plot Shije

756 0

Shija e lehtë dhe e shkrifët e byreçkave trekëndësh është gjithnjë shumë e preferuar për çdo tavolinë.

Përveçse shijes shumë të dashur këto byreçka janë gjithashtu dhe të lehta në përgatitje.

Në traditën e zakonshme ato serviren si një gatim i kripur të mbushura më së shumti me djathë, gjizë apo spinaq.

Sot AgroWeb.org ju sugjeron një shije të re dhe të veçantë të gatimit të këtyre byreçkave në versionin e ëmbël.

Për t’i përgatitur ato do t’ju duhen vetëm 30 minuta dhe dy përbërës që mund t’i gjeni shumë lehtë.

Ndiqni më poshtë hap pas hapi realizimin e kësaj recetë të thjeshtë që ju këshillon  AgroWeb.org.

Përbërësit

1 petë sfoliat

6 lugë çaji marmalatë molle ose ajo që ju dëshironi

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë fillimisht AgroWeb.org ju këshillon të merrni një petë sfoliat dhe t’a hapni mbi tavolinë.

Më pas me anë të një thike të mprehtë prisni në të 6 drejtkëshdësha mesatarë.

Me dhëmbëzat e një piruni shponi disa herë secilin nga drejtkëndëshat pa ushtruar shumë forcë.

Nga një anë e secilës petë shtroni në formë trekëndëshe marmelatën e mollës apo atë që ju gjendët në shtëpi dhe ju preferoni.

Bëjeni këtë proçes në çdo petë të vogël duke i lyer ato me kujdes duke lënë pak hapësirë tek anët.

Palosini petët e vogla njëra pas tjetrës në formën trekëndore duke ushtruar forcë tek anët e tyre me anë të një piruni.

Mund t’i lyeni anët  e petës me pak vaj apo gjalp në mënyrë që byreçkat të mos hapen gjatë pjekjes.

Zgjidhni një tavë mesatare, shtrojeni  atë me letër pjekje dhe vendosni byreçkat njëra pas tjetrës.

Më pas ndizni furrën në temperaturë 200 gradë dhe lërini të piqen për 20 minuta.

Byreçkat do të jenë gati kur të kenë marrë një pamje të artë, të lehtë.

Pasi të jenë pjekur, nxirrini nga furra lërini të ftohen pak dhe mund t’i konsumoni menjëherë.

Mund t’i shtoni edhe pak sheqer pluhur sipër sipas dëshirës dhe t’i konservoni në tasa të mbyllur hermetikisht për disa ditë radhazi./AgroWeb.org