Çaji Shqiptar i Malit në Librin e Kuq të Specieve të Rrezikuara

1k 0

Shqipëria përballet me nivelin më të lartë të humbjes së bimësisë së rrallë në Evropë.

Një raport i PNUD-it mbi Menaxhimin e Ekosistemit në Basenin e Liqenit të Prespës tregon se çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) është një nga bimët më të rrezikuara në Shqipëri.

Në këtë raport theksohet se, në listën e Specieve të Mbrojtura të Florës Shqiptare, çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) konsiderohet si një bimë e kërcënuar nga zhdukja, me një rënie prej 50% në një periudhë 20 vjeçare.

Sipas studimit të përfshirë në Ligjin për Mbrojtjen e Bimëve Medicinale që përmbajnë Acid Tanik dhe Vajra Esencialë, bimët medicinale në kullota dhe lëndina duhen mbledhur nga njerëz të autorizuar e të pajisur me një liçencë të lëshuar nga autoritetet përkatëse.

Një studim tjetër, të cilit i referohet AgroWeb.org, tregon  se në Shqipëri, mbledhja në natyrë dhe shitja e bimëve medicinale dhe aromatike është burimi kryesor i të ardhurave për familjet e varfra rurale.

Në pjesën shqiptare të Parkut të Prespës, numri i njerëzve që mbledhin këto bimë për shitje arrin në 50, shumica prej të cilëve janë femra.

Por ekspertët vendas thonë se numri i të ashtuquajturve “mbledhës rastësorë” të këtyre bimëve mund të përafrohet në 1500 vetë.

Përveç banorëve të zonës, disa mbledhës të këtyre bimëve vijnë edhe nga qyteti i Korçës. Të dhënat mbi sasinë vjetore të bimëve në fakt nuk janë të sakta.

Për më tepër, mungon një sistem i mirëfilltë kontrolli mbi mbledhjen në natyrë të çajit të malit, sasitë e mbledhura apo mbledhësit e regjistruar të kësaj bime.

Raporti i PNUD, i cili përfshin edhe një plan veprimi, thekson se çaji shqiptar i malit (Sideritis raeseri) është një nga 70 bimët medicinale dhe aromatike që mblidhen dhe shiten në zonën e Prespës.

Ky çaj është i një rëndësie të veçantë ekonomike për komunitetet e zonës.

Ai mbetet një nga çajrat më popullorë dhe më të pasur me antioksidantë në trajtimin e problemeve me tretjen, frymëmarrjen dhe forcimin e sistemit imunitar.

Plani i veprimit i PNUD është përgatitur me qëllimin për të siguruar një status të favorshëm konservimi afatgjatë, menaxhim të qëndrueshëm, restaurim dhe mbrojtje të sipërfaqeve me çaj mali në zonën e Prespës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, arritja e qëllimeve të Planit të Veprimit për Konservimin e çajit të malit, përmbledh katër objektivave: 1) eliminimin e mbledhjes së tepruar dhe të papërshtatshme; 2) parandalimin e degradimit të habitatëve të çajit të malit; 3) përmirësimin e njohurive për çajin; 4) përmirësimin e ndërgjegjësimit mbi çajin e malit.

Shpërndarja gjeografike e çajit të malit

Në Shqipëri, sipas studimit të PNUD, çaji i malit rritet në zonat Malit të Gjerë, Malit të Stugarës, Malit të Murganës, Nemerçkës, Çajupit dhe Dhembelit në zonën e poshtme të luginës së Vjosës.

Bima rritet edhe në zonën e sipërme të saj deri tek Lumi Shkumbin, Mali i Tomorrit, Rrungaja, Ostrovica dhe Polisi, ndërkohë që në pjesën juglindore të vendit, çaji i malit rritet vazhdimisht në disa sipërfaqe të Malit të Thatë.

Kultivimi


Çaji i malit ka një potencial të shkëlqyer kultivimi, por kjo duhet të bëhet duke përdorur teknikat, praktikat më të mira si dhe eksperiencën e përfituar.

Degradimi i habitatit të çajit të malit në fazat fillestare të bimësisë nga bagëtitë, por edhe shkatërrimi si pasojë e zjarreve kanë ndikuar ndjeshëm në funksionet e ekosistemit kanë shkaktuar një zvogëlim të bimësisë së përgjithshme të çajit.

Sipërfaqet natyrale të çajit të malit dhe habitatet e tyre shpesh ndërthuren me bimë foragjere, duke e bërë kullotjen një rrezik të mirëfilltë.

Për më tepër, shfrytëzimi i tepruar i kësaj bime ka dhënë kontribut në statusin e rrezikuar të çajit të malit në Shqipëri.

Raporti i PNUD nënvizon se kultivimi i bimës duhet konsideruar si një alternativë për konservimin e specieve të bimëve mjekësore.

Rrjedhimisht, kultivimi është një nga veprimet e rekomanduara për konservimin e çajit të malit.

Bima mund të kultivohet mirë në zona me prodhimtari të ulët përreth Parkut të Prespës pasi në zonën e Prespës vërehet një përvojë e kufizuar e kultivimit të çajit të malit.

Raporti thekson se ndërgjegjësimi i pakët dhe mungesa e njohurive mes banorëve të zonës janë një pengesë për kultivimin e çajit të malit.

Zgjerimi i kultivimit të çajit të malit në zonën e Prespës dhe në zona të tjera të Shqipërisë duhet të jetë në ekuilibër me kërkesën dhe marketingun e produkteve./AgroWeb.org