Cila Grupmoshë I Shtohet Listës Që Duhet Të Marrin Edhe Dozën E Tretë?

659 0

Këtë javë ka zhvillime të rëndësishme në betejën ndaj COVID-19-ës. Kompania farmaceutike Pfizer pritet të kërkojë autorizimin për vaksinën e tretë për personat e moshës 18 vjeç e lart. Ky lajm bëhet i ditur ndërsa Shtetet e Bashkuara hapën më në fund kufijtë për shtetasit e vaksinuar të dhjetëra vendeve.

Falë këtij vendimi shumë familje po ribashkohen me njëra-tjetrën, sikurse tregojnë pamjet në aeroportin ndërkombëtar të Nju Jorkut. Ndërkohë heqja e kufizimeve ka krijuar radhë në kufirin me Kanadanë.

Rikthimi në normalitet po nxitet nga përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për vaksinimin.

Fëmijët mbi 5 vjeç po marrin ndërkohë dozën e tyre të parë të vaksinës. Në Nju Jork janë ngritur qendra të përkohshme vaksinimi në shkollat publike. Në Çikago, shkollat do të mbyllen këtë të premte për t’u dhënë prindërve kohën e duhur që të vaksinojnë fëmijët.

Departamenti i Drejtësisë reagoi ndaj një vendimi të gjykatës për të bllokuar përkohësisht zbatimin e urdhërit të administratës së Presidentit Biden për vaksinimin e detyrueshëm në kompanitë me mbi 100 punonjës. Departamenti tha se bllokimi i urdhërit do të kushtojë ndoshta dhjetëra apo edhe qindra jetë çdo ditë.

“Kongresi e ka dhënë autorizimin me ligj mbi 50 vjet më parë. Pra, ky është një autoritet që ne besojmë se i takon Departamentit të Punës”, tha Karine Jean-Pierre, Zv.Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, urdhërat për vaksinimin vazhdojnë të priten me zemërim. Në Los Anxhelos po protestohet kundër vaksinimit të detyrueshëm të punonjësve të qytetit.

Administrata për Sigurinë e Transporteve thotë se 40% e punonjësve të saj janë të pavaksinuar. Por, sipas një burimi të kanalit ABC News, shkarkimet e punonjësve federalë që nuk do të jenë vaksinuar deri më 22 nëntor nuk do të ndikojnë në udhëtimet me avionë për festën kombëtare të Ditës së Falenderimeve./Burimi:VOA