COVID-19- Legjendat Urbane Më Të Rrezikshme Se Virusi

397 0

COVID-19 është kryefjala e çdo dite.

Interneti po gëlon nga informacione për Koronavirusin që ka gjunjëzuar të gjithë planetin.

Në mesin e lajmeve të shumëta të cilat na bombardojnë çdo minutë, ekziston një vijë shumë e hollë mes të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Disa prej legjendave urbane më qesharake por edhe të frikshme në rrjet në lidhje me COVID-19 janë:

  • Virusi mund të shkatërrohet nga kokaina,
  • Virusi mund të shkatërrohet duke hequr dorë nga akullorja
  • Ne mund të mbrohemi nga virusi duke pirë zbardhues kimik.
  • Duhet të pijmë ujë çdo 15 minuta që të mos prekemi nga COVID-19.

Teoria e parë, pra ajo e kokainës, mori dhenë aq sa detyroi qeverinë franceze të këshillojë qytetarët që të vënë mendjen në punë.

Në rastin e dytë, pra të akullores, UNICEF u detyrua të lëshojë një tjetër udhëzim duke mohuar një pretendim të tillë.

Më e rrezikshmja nga të gjitha legjendat urbane ishte ajo e pirjes së zbardhuesit kimik.

Autoritetet në Virxhina të SHBA-ve paralajmëruan se një sugjerim i tillë është jo vetëm i rremë por mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.

Ata nënvizuan se zbardhuesi është për pastrim dhe jo për tu pirë.

Teoria e katërt ka të bëjë me pirjen e ujit çdo 15 minuta.

Sipas kësaj teorie uji do të shpëlajë ezofagun dhe virusi do të zbresë në stomak ku edhe do të shkatërrohet nga aciditeti i tij.

Në vazhdën e teorive të tilla, ekspertët detyrohen të heqin vëmendjen nga gjetja e një vaksine për të bërë përgënjeshtrime të vazhdueshme.

A Shkatërrohet COVID-19 Duke Pirë Ujë Çdo 15 Minuta?

Në lidhje me teorinë e ujit, ekspertët thonë se gjërat nuk funksionojnë aq lehtë sa mendojnë njerëzit.

E vërteta është se edhe nëse uji mund të përcojë viruse të ndryshme në stomak, ato janë aq të shpejta sa që mund të futen në trup jo vetëm nga goja.

Një kollë e vetme mund të lëshojë në ajër plot 3000 stërkla me gjurmë virusi apo bakteresh.

Ato bien tek njerëzit përreth, në rrobat e tyre, në sipërfaqet e afërta dhe në ajër.

Përtej gojës, virusi mund të futet në organizëm nëpërmjet duarve të palara tek hunda dhe sytë.

E dyta, stomaku përmban acide aq të fuqishme saqë mund të shkrijnë një kallëp çeliku.

Madje kohë më parë shkencëtarët hodhën idenë e përdorimit të acideve si një burim energjie.

Në vitin 2012, shkencëtarët zbuluan se viruset e reja janë tepër rezistente ndaj acideve.

Ato mund të kolonizojë të gjithë armatën e baktereve të mira në stomak por edhe në zorrë.

Duhet të dini se  në Kinë është zbuluar se në 50 % të pacientëve me COVID-19, gjurmë të virusit janë gjetur edhe në jashtëqitjen e tyre.

Lëre Ujin, Por Merr Sapunin

Legjenda të tilla urbane janë të rrezikshme.

Ato i shtyjnë njerëzit të mendojnë se duke pirë ujë çdo 15 minuta janë të mbrojtur.

Kësisoj ata mund të neglizhojnë rregulla të tjera të arta të sigurisë, siç është larja e duarve apo distancimi fizik.

Qasja më e mirë drejt sigurisë është përdorimi i llogjikës, ndjekia e burimeve të sigurta të informacionit dhe larja e duarve.

“Lëre ujin, por merr sapunin”, tha për BBC-në Kalpana Sabapathy, eksperte pranë  London School of Hygiene and Tropical Medicine./AgroWeb.org