Autoritetet globale të shëndetësisë nuk përjashtojnë mundësinë që COVID-19 të transformohet në një virozë të stinës, e njëjtë me gripin stinor.

Pak ditë më parë, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive Dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, tha se në bazë të të dhënave të deritanishme, COVID-19 mund të rikthehet sërish në ndryshimin e stinëve, njësoj si virozat e tjera.

“Ajo që kemi vënë re në hemisferën jugore është shfaqja e përsëritur e virusit me ardhjen e stinës së dimrit. Nëse situata vazhdon me këto ritme, atëherë kjo do të jetë e paevitueshme dhe na duhet të përgatitemi për një rikthim të COVID-19,” tha ai.

Fauci argumentoi se nëse virusi rikthehet në Shtetet e Bashkuara, në vjeshtë apo në dimrin e ardhshëm, gjasat janë që deri atëherë shkencëtarët të kenë gati një vaksinë për tu përdorur për popullatën e gjerë.

Ekspertë të tjerë thonë se nëse me ardhjen e verës, niveli i infeksioneve të COVID-19 nis të bjerë, atëherë shkencëtarët do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për skenarin e rikthimit të virusit.

Në rast se ky skenar ka prirjen të bëhet realitet, atëherë i gjithë globi duhet të forcojë kapacitetet jo vetëm për testim por edhe për stafin mjekësor.

Të gjitha qeveritë e globit duhet të përpilojnë plane të sakta e të zbërthyera mirë për të përballuar një fluks të dytë infeksionesh por edhe një protokoll trajtimi më të qartë.

Frika Ndaj Ndryshimit Genetik Të Virusit

E vetmja kleçkë që mundon sot autoritetet globale të shëndetësisë është fakti se virusi në fjalë ndryshon të dhënat e tij genetike shumë shpesh.

Ky proces njihet ndryshe si mutacion.

Ekspertët kanë fakte dhe të dhëna që tregojnë se ky virus ka gjasa të mos tjetërsojë të dhënat e tij genetike me kalimin e kohës.

Kjo do të përbënte një lajm fantastik për parandalimin e një pandemie të dytë.

Ajo që njerëzit mund të bëjnë është që të vazhdojnë me përpikmëri masat e deritanishme të higjenës dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve mjekësore për tu përgatitur për një rikthim të mundshëm të COVID-19./AgroWeb.org