COVID-19: Shqipëria në Mesataren Evropiane Për Numrin e Testimeve

396 0

“Ne kemi bërë testime më shumë se të gjitha vendet e rajonit dhe jemi absolutisht në mesataren europiane të testimeve”, tha dje në mbrëmje Kryeministri Edi Rama.

Ai theksoi se “njerëzit të gjithë duhet të kuptojnë se në spital shtretërit janë për ata që kanë nevojë për ndihmë të specializuar”.

Ndërsa ata që kanë temperaturë dhe simptoma të lehta, sipas mjekëve, duhet të qëndrojnë në shtëpi.

“Ky është një armik i cili na sulmon përditë, përhapet përditë dhe kërkon të marr pengje brenda familjeve tona. Sistemi shëndetësor shqiptar nuk është më i aftë, as më pak i aftë në raport me këtë sa janë të gjitha vendet e tjera”, tha Rama.

I pyetur nëse është i vonuar tenderi për blerjen e respiratorëve, Rama tha se të gjitha masat janë marrë, dhe se edhe shtetet e tjera kanë vepruar njësoj.

Ai theksoi se “masat e marra së brendshmi nuk e ndalojnë virusin të na preki por e pengon virusin që të progresojë me shpejtësi”.

“Mbyllja e kufijve nuk e pengon virusin t’i kapërcejë kufijtë dhe asnjë vend, asnjë ekspert nuk sugjeron mbyllje të kufijve para se të shfaqet në territor”, u shpreh ai.

Sipas kreut të shtetit ajo që ka rëndësi është parandalimi, vetëm kështu mund të pakësohet numri i personave që kanë nevojë të shkojnë në spital.

Ai theksoi se “mjekët specialist i kanë parashikuar të gjithë skenarët dhe po bëjnë luftën në të gjithë frontin me masat nga njëra anë dhe kapacitetet shëndetësore që të përballojnë edhe skenarin më të keq”.

“Ndërsa skenarin katastrofik nuk e përballon askush. Në këtë luftë nuk ka shtet dhe qytetar, ka një popull se pavarësisht se në çfarë pozitë janë ka vetëm një kauzë dhe duhet të jenë një njësh”, tha Rama.