Prevalenca e diabetit të tipit 2 ka arritur në shifra të frikshme në vendin tonë.

Mjekët në Shqipëri kanë paralajmëruar se çdo vit në vendin tonë trajtohen nga 3000 në 4000 raste të reja diabeti të tipit 2.

Sipas mjekut endokrinolog Florian Hoti, numri i diabetikëve në vend është dyfishuar që nga viti 2005.

Përpos këtyre të dhënave, një aspekt shumë shqetësues i prevalencës së diabetit në vend është se sëmundja ka nisur të prekë edhe grupmosha më të reja.

Të dhënat e fundit të vitit 2018, tregojnë se diabeti nuk kursen as fëmijët dhe adoleshentët.

Mjekët raportojnë për raste alarmante të diabetit edhe në mesin e fëmijëve 10-15 vjeç, adoleshentëve të moshës 20 vjeç dhe të rriturve nga 30 në 35 vjeç.

Obeziteti Dhe Diabeti, Gërshetimi i Frikshëm Që Kanos Njerëzimin

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar obezitetin si sëmundjen e shekullit.

Të dhënat e CIA World Fact Book  tregojnë se në vitin 2016, prevalenca e obezitetit në vendin tonë arriti në 21.7 përqind të popullësisë nga 21.3 përqind në vitin 2008.

Obeziteti është një faktor kyç për shfaqjen e e diabetit të tipit 2.

Një studim i Universitetit të Harvardit, të cilit i referohet AgroWeb.org ka zbuluar se obeziteti streson një sistem të tërë të membranave qelizore të cilat më pas nxisin fikjen e sinjaleve të lëshuara nga receptorët e insulinës.

Kjo i çel rrugën asaj që mjekët e përshkruajnë si “rezistenca ndaj insulinës.”

Insulina është hormone që transformon sheqerin në gjak në energji për qelizat.

Praktikisht, njeriu e tepron me ushqimet që konsumon dhe përpunimi, depozitimi dhe përdorimi i ushqyesve bëhet i ngadaltë.

Të gjithë sistemit ‘i digjet qarku’ dhe nis e të dërgojë sinjale alarmi.

Kjo situatë stresuese shkakton inflamacion qelizor ndërkohë që insulina nuk ka më aftësinë për pastrimin e gjakut nga sheqeri i tepërt.

Shenjat e Para Të Diabetit Që Duhet T’i Mësoni

Shenja e parë paralajmëruese e sëmundjes është faza që njihet si para-diabeti.

Simptomat ndaj të cilave duhet të jeni të vëmendshëm janë:

  • Ndjeni uri më tepër se zakonisht
  • Jeni duke humbur peshë, pavarësisht se hani më shumë
  • Jeni më të etur se zakonisht
  • Ju duhet të shkoni më shpesh në banjë
  • Ndjeheni më të lodhur se zakonisht.

Bishtajoret Kundër Diabetit

Ekspertët e AgroWeb.org shprehen se njerëzit që konsumojnë më shumë bishtajore përballen me një rrezik më minimal për shfaqjen e paradiabetit, ose nivelit në rritje të glukozës në gjak.

Bishtajoret përfshijnë fasulet, bizelet, thjerrëzat e shumë të tjera, të cilat rekomandohen si ushqime shumë të shëndetshme për organizmin.

Statistikat tregojnë se njerëzit që konsumojnë tre ose më shumë racione fasulesh në javë përballen me një rrezik 25% më të ulët të shfaqjes së paradiabetit./AgroWeb.org