Fakte Dhe Pikëpyetje Për Një Valë Të Dytë Të COVID-19 Në Vjeshtë

424 0

Kur vjen puna tek epidemitë, historia na ka treguar se ato rikthehen gjithmonë në një valë të dytë, më të ashpër se e para.

Aktualisht temperaturat po rriten ndjeshëm me ardhjen e verës dhe e njëjta gjë po ndodh me lagështinë.

Këto dy aspekte ngjallin shpresat për pakësimin e rasteve të COVID-19 në verë, duke ndjekur kështu të ftohurën dhe gripin e zakonshëm.

Sidoqoftë, ekspertët sugjerojnë se pandemia e COVID-19 mund të shfaqet sërish brenda vitit.

Nëse kjo do të ndodhë, gjasat që të ketë një përplasje dhe mbivendosje të gripit stinor me koronavirusin, janë të larta.

Kjo nënkupton shifra të larta të prekurish gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. Një panoramë më të frikshme se ajo që kaluam në fillim të marsit.

Në një intervistë për Healthline, Dr.Eric Cioe-Pena ekspert amerikan i shëndetësisë, u shpreh se çdo projeksion për rikthimin e COVID-19 bazohet në përvojat e shkuara.

Ai sqaroi se dinamikat e përhapjes së virusit vazhdojnë të shoqërohen me shumë pikëpyetje, gjë që nxjerr në pah shumë vështirësi dhe pasiguri në parashikimin e pandemisë së rradhës.

Mësimet Nga Gripi Spanjoll 

Në vitin 1918, pranë fundit të Luftës së Parë Botërore,  gripi Spanjoll besohet t’i ketë marrë  jetën 50 milionë njerëzve dhe të ketë infektuar 500 milionë të tjerë duke u bërë pandemia më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit.

Gjithsesi, vërtetësia e këtyre shifrave shoqërohet me shumë pikëpyetje, sidomos sa i përket infrastrukturës për përpilimin e të dhënave asokohe.

Fakt i vërtetuar është se gripi në fjalë ka pasur shumë valë të përsëritura (të paktën 4 të konfirmuara) por shifrat e viktimave për secilën prej tyre janë të panjohura.

Valët e gripit spanjoll nisën në Mars të 1918-ës dhe përfunduan në verën e 1919.

Në disa zona të botës, besohet se pati disa shpërthime të tjera edhe në vitin 1920.

Ekspertët besojnë se vala e dytë mund të ketë qenë më e ashpra për shkak të mutacionit genetik, lëvizshmërisë dhe faktit që ndodhi në të njëjtën kohë kur shumë njerëz, për arsye të stinës vuanin nga e ftohura.

Përvoja Me Koronaviruset e Tjera

Koronaviruset janë familja e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje të tilla si: nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda siç është Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS).

Disa koronaviruse që shkaktojnë të ftohurën transmetohen më shpejt në temperatura të ftohta dhe nivele të ulëta lagështie. Për rrjedhojë ato shkaktojnë më shumë probleme në vjeshtë dhe dimër se në verë dhe pranverë.

Nga ana tjetër, koronaviruset që shkaktuan epidemitë e SARS-it në vitin 2002 dhe MERS-it në vitin 2012, nuk kanë të njëjtën qasje në bazë të stinëve.

Këto dy të dhëna të konfirmuara, shtojnë pikëpyetjet mbi shfaqjen ose jo të COVID-19 në vjeshtë por edhe dinamikat e përditësuara të përhapjes së tij./AgroWeb.org