Fermerët e Korçës po përballen me vështirësi në gjetjen e kapaciteteve ruajtëse për prodhimin e prodhimeve të tyre. Konkretisht, mollëve.

Në fshatin Zvirinë të Korçës, për një nga kultivuesit kryesorë të mollëve në juglindje, më shumë se gjysma e prodhimit ka mbetur pa shitur.

Ulja e konsumit vendas dhe rënia e eksporteve ka bërë që tonelata të tëra mollësh, edhe ato cilësore, të shiten nën kosto thonë ata për mediat.

Jo vetëm mollët, probleme edhe me prodhimin e patateve

 “Nuk ka treg, ne jemi nën kosto, e prodhojmë me 250 dhe e shesim me 60 lekë, me 30 lekë. Edhe patatja e njëjta gjë. Kam prodhuar 700-800 e kam shitur vetëm 400”.

Kostoja e lartë, mungesa e tregut dhe e kapaciteteve ruajtëse po i detyron fermerët e Zvirinës të reduktojnë sipërfaqet e mbjella me mollë.

“Hodha 12 milion lekë e nuk mora dot as lekët e farës. Unë dua ta mbjell po me se ta mbjell. Do mbjell pak sa të vërtitem.

Ne prisnim që të bëhej më mirë nga viti i kaluar por sivjet dolëm akoma më keq nga viti i kaluar. Nuk mbulojmë dot shpenzimet. Nga viti në vit ne po ecim mbrapsht”.

Duhen kapacitete frigoriferike ruajtëse

Në të gjithë zonën ka vetëm një frigorifer, kapaciteti i të cilit nuk përballon sasinë e prodhimit. Vullnet Gjolla, drejtor i drejtorisë rajonale të bujqësisë sugjeron për fermerët skemat subvencionuese.

“Për shkak të sasisë së madhe kapaciteti frigoriferik është afër 15 mijë ton. Duhet të rritim ambientet frigoriferike. Thirrja është të aplikojnë në skemat subvencionuese të përfitojnë për të ndërtuar frigorifer”.

Gjatë këtij sezoni, një pjesë e vogël e prodhimit ka shkuar për industrinë agropërpunuese të vendeve të Ballkanit, por pjesa tjetër vazhdon të mbetet stok.

Ky nuk është rasti i vetëm ku fermerët përballen me  humbjen e prodhimeve të tyre për shkak të mungesës së kspaciteteve të duhura ruajtuese.