Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se ka shtyrë afatin për Dorëzimin e Aplikimeve, në kuadër të Programit IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor për thirrjen e dytë, si më poshtë:

 Shtyrjen e afatit për aplikime për Thirrjen e Dytë nga Programi IPARD II deri në datën 15 Janar 2020.

Një shumë prej 57.6 milionë eurosh ofrohet nga BE në formën e granteve, me qëllim zhvillimin e bizneseve në bujqësi. Por që të përfitosh këto fonde, duhen plotësuar disa kritere.

Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”, deri në datën 15 Janar 2020, sipas orarit zyrtar 08:00 -16:30.

Aplikimet duhet të dorëzohen si më poshtë:

  • Nëpërmjet dërgesës postare rekomande, ose
  • Dorazi (duke përfshirë shërbimet koriere) direkt në Autoritetin Kontraktues në këmbim të një mandati dorëzimi me firmë dhe datë nga:  Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr.56

Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër (p.sh. me faks apo e-mail) apo të dërguara në adresa të tjera do të refuzohen.

Çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 15 Janar 2020 do të refuzohet.

Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.

Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

Thirrja është e hapur për të gjithë (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, agro-përpunimit dhe zhvillimit rural, nga data 30 Tetor – 15 Janar 2019, në masat e mëposhtme:

Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” në sektorët:

Qumësht, Mish, Fruta-Perime,Vresht.

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” në sektorët: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, Përpunimi i mishit, Përpunimi i frutave dhe perimeve, Vera.

 “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” në sektorët:

Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve;

Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.