Gripi Sezonal – Shqipëria Mes Shteteve Më Të Prekura Në Evropë

338 0

Një tjetër problematikë shëndetësore që Shqipëria po përballet është edhe gripi sezonal.

Jo më larg se dje një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë, u pohua se në spital gjenden rreth 186 raste të rënda.

Sipas të dhënave të ISHP, aty ku është bazuar AgroWeb.org, tregohet se dy muajt e parë të vitit 2020 gripi ka prekur rreth 25 mijë persona.

Simptomat përfshijnë dhimbje koke, fyt të acaruar, rrufë, kollë, probleme me frymëmarrjen.

Nga të dhënat e mjekëve rreth 899 persona kanë treguar simptoma të rënda respiratore dhe kishin nevojë për të qëndruar në spital.

Ditën e sotme u pohua se tre veta që qëndronin në kujdesin intensiv, kishin humbur jetën nga gripi sezonal.

Cila Është Grupmosha e të Prekurve?

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se 21.9% e rasteve të sëmundjeve të rënda respiratore i përkasin moshës pediatrike 0-14 vjeç.

Ndërsa përsa i përket sëmundjeve tepër të rënda respiratore, ku pacientët kanë nevojë për terapi intensive dhe oksigjen, kjo grupmoshë shkon në 24.5%.

Këshillat e Mjekëve

Shumica e personave të paraqitur me problemet e lartpërmendura nuk kishin kryer vaksinën kundër gripit.

Sipas ISHP në 6 nëntor 2019 në Shqipëri u shpërndanë 60 mijë doza vaksinash ndaj gripit.

Këto vaksina u kryen nga personeli shëndetësor, fëmijët në moshën 2-5 vjeç, persona me sëmundje kronike, si dhe personat mbi 65 vjeç.

Mjekët nga ana e tyre e kanë risjellë në vëmendje faktin e vaksinimit, por edhe të kujdesit ndaj vetes.

Ata këshillojnë shmangien e vendeve me shumë njerëz dhe të mbyllura si kafenetë apo autobusët.

Personat që nuk ndihen mirë, këshillohen që të qëndrojnë në shtëpi ngrohtë dhe të kenë kujdes me ushqimin.

Nëse shohin që edhe pas 1-2 ditësh simptomat nuk largohen apo përkeqësohen dhe të drejtohen tek mjeku i familjes.

A Është Shqetësuese Situata? 

Sipas Monitor, harta evropiane e gripit sezonal tregon se Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja  dhe Rumania u preken nga një intensitet i konsideruar i lartë për gripit sezonal.

Por në javën e 8 -të te vitit 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratorë të Sipërme dhe të Poshtëm.

Ky numër është 19% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./AgroWeb.org