Hetimi Epidemiologjik i Kryer Në Shqipëri – Tirana Vatra Kryesore e Infeksionit

395 0

Nëse shkalla e infeksionit është 7 për qind në kryeqytet, atëherë edhe vdekshmëria nuk është 4.8 për qind, por 0.001 për qind.

Në një postim në rrjetet sociale, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka analizuar situatën aktuale dhe kryesisht atë që po ndodh aktualisht në Tiranë.

Sipas tij, nisur nga statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë, ku vetëm në Tiranë janë konfirmuar nga hetimi epidemiologjik 1106 raste me COVID19 dhe nga këto 53 kanë ndërruar jetë, atëherë shkalla e vdekshmërisë rezulton 4.8 për qind.

Shkalla e vdekshmërisë 

Por nëse do t’i referoheshin studimit të kryer nga dy profesorët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli, ku 7 për qind e popullsisë në kryeqytet ose rreth 60 mijë qytetarë mendohet se e ka kaluar sëmundjen, atëherë shkalla e vdekshmërisë nuk është më 4.8 për qind, por 0.001 për qind.

Sipas studimit të Akademisë së Shkencave, 6 deri në 7% e popullatës së Tiranës shfaq antitrupat. Kjo tregon: Së pari, sipas burimeve zyrtare, në Qarkun e Tiranës janë identifikuar 1.903 raste me COVID-19, nga të cilët 1.063 janë shëruar, 53 kanë vdekur dhe 787 janë raste aktive.

Por, në Qarkun Tiranë jetojnë 842.981 qytetarë (INSTAT 2020), nga të cilët, nëse të dhënat janë të përgjithësueshme, duhet ta kenë kaluar sëmundjen 50.579 – 59.009 persona. Hetimi epidemiologjik, si në çdo shtet, ka gjetur vetëm një fraksion të këtyre rasteve.

Rastet aktive

Si rregull, rastet aktive nuk duhen përfshirë pasi nuk kanë zhvilluar ende antitrupa, pra, në të njëjtën periudhë 1106 persona janë identifikuar me COVID-19, ose 1.106/842.981 = 0.13%.

Pra, hetimi epidemiologjik ka zbuluar vetëm 1 rast ndër 46-53 raste, ose 1.87-2.19% të rasteve, ngjashmërisht me vlerat e Lombardisë në Itali. Asnjë çudi! Së dyti, çfarë do të thotë kjo për vdekshmërinë?

Nga rastet që kanë pasur një përfundim (shërim apo vdekje), në total 1106, fatkeqësisht 53 nuk kanë mbijetuar.

Si rrjedhojë, vdekshmëria në sy të parë është 53/1106 = 4.8%. E tmerrshme, apo jo? Por tani dimë që rastet nuk ishin 1106, por 50.579 – 59.009. Pra, vdekshmëria shkon nga 53/59.009 = 0,0009% deri në 53/50579 = 0.001%”, ka shkruar Alimehemti në rrjetet sociale./Burim:Panorama