Jufkat e Dibrës janë të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.

Ciceroni i Muzeut të Kastriotëve në Dibër, Valdrin Vlesha tregon për AgroWeb.org historinë e krijimit të jufkave sipas dëshmive që ai ka mbledhur nga njerëz të ndryshëm të zonave të Dibrës së Madhe.

Sipas tij, Jufka daton të jetë një produkt ushqimor shekullor.

“Ky produkt është prodhim autokton i zonës së Dibrës së Madhe. Ka përbërje 100% organike me bazë miellin e grurit i bluar në mulli me ujë, vezën e pulës të rritur e të ushqyer në natyrë dhe qumësht lope të kullotur në bjeshkët e Dibrës.

Pas procesit të pergatitjes jufkat priten  me thikë sipas dëshirës por e mira është me një trashësi diku ke 1.5cm dhe lihen të gjata diku me një gjatësi që varion nga 10-15 cm” thotë Vlesha teksa tregon mbi mënyrën tradicionale të përgatitjes së jufkave.

Krijimi i Jufkave Në Mesin e Shek XIV

Sipas të dhënave të mbledhura nga Vlesha, mendohet që prodhimi i tyre ka filluar që në mesin e shekullit të XIV nga familjet ortodokse ne zonën e Rekës.

Dibra si një zonë malore dhe me një klimë relativisht të ftohtë dimri zgjat diku afërsisht 5-6 muaj, dhe për rrjedhojë përgatitjet për dimër fillojnë që ne vjeshtën e hershme.

“Nga takimi me Efiminë ( ortodokse) një zonjë nga Reka e Epërme tregon që jufka (petka) ka një legjendë interesante ku tregon që mielli i grurit simbolizon bardhësinë( zemërgjërsinë dhe mikpritjen e dibranëve), veza simbolizon bërthamën (familjen) , qumështi (begatinë)  është tretësi  dhe bën lidhjen.

Po të njëjtën histori e tregon dhe Dimitra banore po aty.  Pra nga historia e Efimisë dhe e Dimitrës janë dëshmi të rëndësishme që tregojnë se Jufka është ushqim i zonës së Dibrës”.

Zahireja Kryesore për Stinën e Dimrit

Ndërsa në Dibër të Madhe, Vlesha tregon se ka një histori tjetër që tregohet për jufkat.

Sipas Asimes një zonjë e vjetër që banon në Banisht në një fshat, pranë qytetit tregon që jufkat janë berë si rezultat pasi kanë proteina e vitamina që në dimër ky ushqim shërben për të na mbrojtur edhe nga i ftohti.

Asimja një grua me moshë diku tek të 60-tat tregon që jufka është një ndër zahiret më kryesore për stinën e dimrit ku përgatitet në kushte shtëpiake.

Ajo tregon se kur shkonte tek gjyshja e nënës së saj në kohën kur ishte fëmijë, gjyshja mbyllte me çelës odën ku përgatiteshin jufkat.

Gjithësesi, VLesha thotë se duhet një studim më i gjërë rreth këtij produkti për ta përforcuar dhe ta ditur më të detajuar historinë e jufkave.

Ai vlerëson se këto dy histori janë një gur themeli për mbledhjen e të dhënave rreth Jufkave  të Dibrës./AgroWeb.org