Kontaktet e Personave me COVID-19: Shqetësimet e Qytetarëve dhe Këshillat e Mjekëve

216 0

Shqetësimi i qytetarëve, të cilët kanë pasur kontakte me persona pozitivë me COVID-19 ka rritur edhe kërkesën për bërjen e testit me tamponë.

Në raste të tilla qytetarët i drejtohen Urgjencës Kombëtare 127. Por cila është përgjigja e 127 kur qytetari është pa simptoma?

127: Ti ke simptoma:

Rasti: Jo nuk kam simptoma, po kam pasur kontakt të afërt me personin.

127: E kuptoj, po në momentin që nuk ke simptoma do flasësh me mjekun e familjes ose me vetë ISHP, në marrim vetëm rastet pa simptoma…

Ndjekja e Rasteve

Për të kuptuar sesi bëhet ndjekja e rasteve të tilla Euronews Albania kontaktoi me mjeken e familjes Anjeza Frakulla, e cila na tregoi se personat pa simptoma duhet të qëndrojnë në izolim prej 14 ditësh, pasi tamponi u bëhet atyre personave që kanë simptoma të COVID-19.

“Ne vetë si mjek familje kemi për detyrë që të bëjmë ndjekjen e rastit, e marrim pacientin çdo ditë në telefon, e pasqyrojmë në kartelë të gjithë klinikën e pacientit, i japim edhe mjekimin. Kurse për kryerjen e tamponit është epidemiologu që përgjigjet. Sepse jo të gjithë pacientët referohen për tampon,” – u shpreh Frakulla.

Mjekja na tregoi se pjesa më e madhe e pacientëve që i kontaktojnë rezultojnë pozitivë me covid-19, ndërsa vihet re se po shtohen telefonatat për konsulta nga grupmoshat e reja.

Prekja e grupmoshave aktive

“Në 70% të rasteve pacientët të cilët kanë shfaqur simptoma kanë rezultuar pozitivë. Ajo që më bën përshtypje në këtë periudhë kanë qenë më tepër grupmoshat aktive, ato që janë në punë, që kanë kontakte me njerëz. Më kanë rezultuar më tepër grupmosha nga 20 vjeç deri në 50 vjeç,” – shtoi më tej mjekja e familjes.

Një pjesë e pacientëve sipas mjekëve e kërkojnë me këmbëngulje bërjen e tamponit, pasi për ta është e pamundur qëndrimi në izolim për 14 ditë për shkak të punës. Kjo ka bërë që jo pak herë të ketë përplasje mes vetë mjekëve dhe epidemiologëve, të cilët vendosin nëse do ua kryejnë tamponin ose jo./Burimi:EuroNews