Masat e Reja Kundër Koronavirusit – Çfarë Duhet të Kini Kujdes

381 0

Pas përkeqësimit të situatës në Durrës ku pak orë më parë u shënua viktima e parë nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka vepruar me masa të reja.

Çdo veprim i marrë ndihmon në sigurimin e shëndetit të qytetarëve si dhe në shmangien e infektimit të personave të tjerë.

Thelbi i këtyre masave, që vijnë si propozim nga Komiteti i Ekspertëve dhe Institutit të Shëndetit Publik, ka të bëjë me luftimin e sëmundjeve infektive.

ISHP në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetit kanë nënvizuar rëndësinë e shmangies së ambienteve të mbyllura.

Ndaj edhe sot të gjitha ambientet e dedikuara për argëtimin e fëmijëve apo të rinjve, palestrat, qendrat sportive, kulturore apo argëtimi si edhe lokalet dhe baret do të mbyllen për publikun deri në 3 Prill.

Ministria gjithashtu ka anuluar deri në këtë datë edhe aktivitetet sportive, sociale dhe kulturore.

Çdo ekskursion mësimor i organizuar nga institucionet shkollore është anuluar deri në një njoftim të dytë.

Përsa i përket bizneseve që ofrojnë ushqim, bare, lokale apo restorante, duhet që të ruajnë një distancë rreth 2 metrash mes tavolinave.

Këto biznese duhet të garantojnë një distancë 1 metër mes qytetarëve.

Të gjithë institucionet private dhe publike duhet të ndërmarrin masa për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare përmes internetit.

Në pamundësi për sigurimin e punës online, postet e punës duhet të jenë së paku 2 metra mes punonjësve.

Gjithashtu për punonjësit që u nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët duhet të kenë mjetet minimale të sigurisë si maska dhe doreza.

Të gjithë personat që kanë histori udhëtimi me vendet e cilësuara nga OBSH si zona të rrezikshme duhet të vetëkarantinohen detyrimisht për 14 ditë.

Të gjitha këto masa duhet që të ndërmerret nga të gjithë qytetarët për të mundësuar kufizimin e të infektuarve nga COVID-19./AgroWeb.org