Mishrat E Përpunuar Rrisin Rrezikun E Qelizave Të Dëmshme

379 0

Gratë dhe vajzat që ushqehen rregullisht me mishra të përpunuar, ku përfshihen salçiçet, sallamrat apo proshutat, janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit.

Një studim shkencor i publikuar nga CNN, të cilit i referohet AgroWeb.org, thotë se konsumi i këtyre mishrave duhet të kufizohet, që gratë dhe vajzat të jenë më të mbrojtura nga kanceri.

Studimi analizoi të dhënat e mbi 1.2 milion grave, ku përfshiheshin ushqyerja dhe analizat shëndetësore.

Shkencëtarët thanë se gratë që hanin rregullisht mishra të përpunuar ishin 9 përqind më të rrezikuara nga kanceri i gjirit.

Organizata Botërore E Shëndetësisë i kategorizon mishrat e përpunuar si kancerogjenë në të njëjtën kategori si cigaret dhe asbestoja.

Në mesin e mishrave të përpunuar mund të përmendim hot dogët, salçiçet, mishi i kriposur dhe mishrat e thara .

Ato janë produkte mishi që transformohen nga gjendja e tyre fillestare.

Ky transformim ndodh falë kriposjes, erëzave, fermentimit, konservimit, tymosjes dhe proceseve të tjera.

Këto procese i shërbejnë përmirësimit të shijes dhe konservimit.

Përpunimi në temperaturë të lartë i këtyre produkteve besohet të çlirojë substanca kimike kancerogjene.

Rreziqe Të Tjera Që Vijnë Nga Konsumi I Mishrave Të Përpunuar

Këto mishra rrisin rrezikun e vdekjes së parakohshme nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe sëmundjeve të tjera.

Ato gjithashtu rrisin rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë apo rezistencës ndaj insulinës, që konsiderohet pikënisja e diabetit të tipit 2.

Sipas studimeve, të cilave u referohet AgroWeb.org, njerëzit që konsumojnë rregullisht mishra të përpunuar janë 50% më të rrezikuar ndaj dhjamosjes së mëlçisë dhe po aq ndaj rezistencës ndaj insulinës.

Më herët këtë vit, Agjensia Ndërkombëtare për Kërkimet për Kancerin në Lion të Francës, publikoi studim lidhur me mishin e përpunuar dhe kancerin.

Ekpertët e kësaj agjensie paralajmëruan se ngrënia e të paktën 50 gramëve mish të përpunuar në ditë, rrit rrezikun e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë me 18 përqind.

Ekspertë të tjerë kanë lëshuar rekomandime të ngjashme në kufizimin e tyre në të mirë të shëndetit.

Megjithatë, sipas tyre njeriu mund të konsumojë jo më shumë se 70 gramë mish të përpunuar në ditë./AgroWeb.org