“3 herë më pak shtrime në spital dhe numri i vdekjeve është ulur me 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”. Kështu deklaroi për Euronews Albania, mjeku Arben Gjata për situatën e COVID-19 në Shqipëri.
Mjeku nënvizoi se situata epidemiologjike është më e përmirësuar për shkak të vaksinimit.
“Kjo i dedikohet vaksinimit sepse mbi 70-80% e pacientëve të shtruar në spital janë ata pacientë që nuk kanë qenë të vaksinuar”, u shpreh ai.
Z. Gjata tregoi se vetëm në spitalin Infektiv është arritur numri maksimal i të shtruarve.
Mjeku shtoi se nëse vendoset pasaportat e vaksinimit për t’u futur në vende të ndryshme, duhet parë sesa do të zbatohet kjo masë. Sa i përket vaksinës së gripit për grupmoshën e tretë, ai tha se ka filluar një fushatë vaksinimi.
Ndërsa mjeku në Austri, Arben Kuçani tregoi masat drastike që po merr ky vend, pas rritjes së numrit të infektimeve.
Mjeku theksoi se kryesisht në Austri është infektuar grupmosha nga 12-25-vjeç.
“Ka edhe mungesë të vaksinimit. Grupmosha nga 12-25, ata janë më të infektuarit dhe në pavionët e intensivit çdo në 4 veta, vetëm njëri është i vaksinuar”, u shpreh ai, teksa shtoi se pacientët me tumor apo sëmundje të tjera nuk po mbahen nëpër spitale, pasi ka mungesë kapacitetesh./Burimi:EuroNews