Nëse mishi i viçit duhet të jetë patjetër pjesë e tavolinave të ndërrimit të viteve, duhet të tregoni kujdes që të paktën të jetë produkt shqiptar.

Shqipëria ka kohë që ka lëvizur nga boshti i prodhimit vendas dhe tani renditet si një vend kryesisht importues i mishit, qoftë i mishrave të kuq, por edhe atyre të bardhë.

Shkak kryesor padyshim është edhe kosto më e ulët e mishit të importuar kryesisht nga Brazili dhe Argjentina.

Në krahasim me mishin vendas, kosto e një kilogrami mishi të importuar është të paktën dyfish më e lirë sipas vëzhgimeve të tregut nga AgroWeb.org.

Por mishi i importit sidomos ai brazilian vjen me probleme të tjera që gjatë viteve të fundit kanë dëmtuar jo pak imazhin në të gjithë tregjet evropiane.

Problemi i fundit me mishin e viçit nga Brazili lajmërohet nga Italia fqinje ku vetëm disa ditë më parë doganat italiane refuzuan shkarkimin në portet e tyre.

Një sasi e madhe mishi viçi fileto me origjinë nga Brazili rezultoi i pushtuar nga mikro-organizma shigatoksine që prodhojnë baktere Escherichia Coli.

Në datën 21 Dhjetor 2017, autoritetet italiane të kontrollit doganor paralajmëruan të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar dhe sekuestruar ngarkesa me mish viçi brazilian.

Kjo pasi analizat treguan nivele agresive të bakterieve të dëmshme E. Coli në masën STX1+ për 25 gramë mish.

Më poshtë njoftimi i Sistemit të Alarmit të Komisionit Europian.

Njoftimi i Komisionit Europian i datës 21 Dhjetor 2017

Çfarë rreziku sjell bakteri Escherichia Coli?

Bakteri i Escherichia Coli pasi depërton në organizëm prodhon helme të fuqishme që zhvillohen në zorrët e njeriut.

Nëpërmjet mukozës së zorrëve, helmet kalojnë në gjak dhe godasin veshkat duke shkaktuar probleme tejet serioze.

Pasoja më e rrezikshme që përmendin mjekët e konsultuar nga AgroWeb.org është bllokimi i plotë i veshkave në disa persona dhe nevoja e menjëhershme për dializë.

Zakonisht bakteri E coli nuk shkakton simptoma, pavarësisht se mund të ndodhet në zorrët tuaja.

Në raste të tjera më të përkeqësuara ai shkakton diarre, e cila brenda pak orësh bëhet hemorragjike. Diarreja e shkaktuar nga bakteri E coli zgjidhet brenda 4-5 ditëve.

Në rast se helmi qarkullon më gjatë, ai mund të shkaktojë anemi dhe insuficiencë renale.

Serumet dhe dializa për të shmangur problemet afatgjata të veshkave bëhen të nevojshme për të shpëtuar nga prania e Escherichia Coli në organizmin njerëzor.

Nëse blini mish të kuq të importuar, këshilla më e mirë nga AgroWeb.org është ta zieni shumë mirë para se ta gatuani

Por sigurohuni të blini mish vendas, sado më i shtrenjtë të jetë ai.

Jo vetëm që mishi vendas është shumë herë më i freskët, por si rezultat i fermave të reja të hapura në vend, cilësia dhe siguria e mishit shqiptar është e një niveli shumë të mirë./AgroWeb.org