Nga Siguria, Rezultatet Dhe Efektet Anësore – 8 Faktet Që Duhet Të Dini Për Vaksinat

259 0

Si janë të përbëra vaksinat antiCovid?

Ato kanë përbërje të ndryshme. Vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna janë vaksina me ARN mesazhere. AstraZeneca përdor metodën e vektorit viral. ARN mesazhere është një sekuencë bazash gjenetike të sintetizuara në laborator. Duke qenë një molekulë e paqëndrueshme, sekuenca e ARN kapsulohet në një nano-grimcë yndyre. Duhet të ruhet në temperatura shumë të ulëta: -20 për Moderna, -70 për Pfizer-BioNTech. Vaksina nuk përmban asgjë tjetër, përveç ekscipientëve. Në kohën e injektimit duhet të hollohet me një solucion normal fiziologjik.

Sa dhe cilat janë miratuar apo në proces miratimi?

Vaksinat e aprovuara në botë sot janë 7: tre kineze dhe dy ruse, përveç Moderna dhe Pfizer-BioNTech. Procedurat e miratimit në vende të ndryshme janë të ndryshme. Rusia dhe Kina nuk kanë autoritete të pavarura rregullatore. Në Evropë dhe Amerikë, prodhuesit e vaksinave mbledhin të dhëna nga testet me njerëz dhe i dërgojnë për vlerësim, tek autoritetet rregullatore (FDA në SHBA dhe EMA në Evropë). Pas Pfizer, Moderna do të mbërrijë në Evropë në janar. Kompania tashmë i ka përfunduar testet. Në Mars priten Johnson & Johnson dhe pak më vonë edhe Sanofi.

Pse u desh kaq pak, ndërkohë që zakonisht duhen vite të tëra?

Për dy arsye. E para është se shkenca ka shfrytëzuar përvojën e SARS-it të parë. Në vitin 2003, u krijua një vaksinë, e cila nuk u përdor kurrë sepse ai koronavirus u zhduk. Përdorimi i ARN-së mesazhere është përhapur në vitet e fundit edhe në onkologji. Arsyeja e dytë është se fazat e zhvillimit – ajo në laborator, testet njerëzore dhe prodhimi – u zhvilluan njëkohësisht e jo në mënyrë sekuenciale. Eshtë një rrezik financiar: dështimi i një prej fazave do të çonte në një humbje të madhe të burimeve. Por fondet e vendosura nga qeveritë kanë zbutur rreziqet për kompanitë.

Për sa kohë do të jenë efikase vaksinat?

Do ta zbulojmë vetëm me kalimin e kohës. Koronavirusi njihet për më pak se një vit, nuk mund të kemi të dhëna për periudha më të gjata kohore. Studimet në 4 koronavirusët që shkaktojnë ftohje dhe të SARS-it, sugjerojnë që imuniteti zgjat për një vit. Por ato janë hamendje. Antitrupat tek njerëzit e shëruar duket se zgjasin për 6-9 muaj. Një mostër e njerëzve të vaksinuar do të ndiqet me kalimin e kohës, për të studiuar trendin e kujtesës së tyre imune. Kur të skadojë mbrojtja, vaksina do të duhet të përsëritet. Eshtë e mundur që injeksioni të bëhet rutinë.

Mbrojnë vetëm nga simptomat, apo edhe nga infektimi?

Nuk e dimë. Testet njerëzore përfshinin mesatarisht 20-40 mijë vullnetarë për secilën vaksinë. Dhënia e tamponëve të rregullt për të gjithë do të ishte e komplikuar: vetëm vullnetarët me simptoma Covid iu nënshtruan testeve. Rezultati është që ne nuk kemi të dhëna për asimptomatikët. Për të kuptuar nëse vaksina mbron vetëm nga simptomat e rënda, apo nëse parandalon edhe infeksionin, do të kërkohen teste të përsëritura në një mostër vullnetarësh, pas fillimit të fushatës së vaksinimit. Për sa kohë që mbetet pasiguria, të vaksinuarit do të duhet të mbajnë të gjitha masat paraprake për të shmangur infektimin e të tjerëve.

A ka patur efekte anësore?

Deri më tani, 2 milion njerëz janë vaksinuar me Pfizer ose Moderna. Ka patur 8 reaksione alergjike serioze, menjëherë pas injeksionit, të gjitha u zgjidhën. Për këtë injeksioni bëhet në një institucion mjekësor, me ndihmë në rast të shokut anafilaktik. Testet treguan disa efekte anësore të lehta: për Pfizer dhimbje në vendin bërjes së vaksinës (80% e vaksinuarve), lodhje (60%), dhimbje koke (50%), dhimbje muskulore (30%), dhimbje të kyçeve ( 20%), ethe (10%). Një në një mijë vullnetarë kishin paralizë të përkohshme të muskujve të fytyrës.

 

Çfarë është imuniteti i tufës? Si arrihet?

Eshtë përqindja e të vaksinuarve, që duhet të arrihet në mënyrë që edhe ata që nuk janë vaksinuar të mbrohen. Duke mos arritur tek më shumë njerëz për t’i infektuar, virusi në atë pikë ndalon qarkullimin. Sa më e lartë është ngjitja e virusit dhe përhapja e tij në popullatë, aq më e lartë është përqindja e imunitetit të tufës. Për fruthin, i cili ka një indeks shumë të lartë të përhapjes, 18, 95% e njerëzve duhet të imunizohen. Për koronavirusin do të duhet të arrijë 70-80%. Përveç të vaksinuarve, edhe ata që e kanë kaluar dhe janë shëruar, duhet të konsiderohen gjithashtu imunë. Për fat të keq, megjithatë, të dy llojet e mbrojtjes janë vetëm të përkohshme.

Nëse gjithçka shkon mirë, kur mund t’i rikthehemi jetës normale?

Do të jemi në një pikë të mirë vjeshtën e ardhshme me përfundimin e fushatës së vaksinimit. Në atë moment do të hapen skenarë të ndryshëm. Sars-Cov-2 mund të shndërrohet dhe të bëhet më i butë, duke u bërë shpejt i ngjashëm me 4 koronavirusët e tjerë që na shkaktojnë thjesht një ftohje. Ose mund të mbetet i rrezikshëm për disa vite, duke na detyruar të përsërisim vaksinimet dhe të mbajmë masat paraprake. Shumë varet nga shpejtësia e mutacionit, efektiviteti i vaksinave, aftësia e tyre për të na mbrojtur nga infektimi dhe kohëzgjatja e imunitetit./Burimi:Panorama