OBSH: Dy doza vaksine kineze Sinovac ndalojnë Covid-19 deri në moshën 60 vjeç

348 0

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar sot se vaksina kineze Sinovac është efektive për pacientët nën 60 vjeç, ndërsa deri tani nuk ka prova që tregojnë se ka efektivitet edhe tek të moshuarit.

“Vaksina kineze kundër koronavirusit Sinovac është efikase te të rriturit nën 60 vjeç, por disa të dhëna për rrezikun e efekteve serioze anësore mungojnë”, thanë ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Përfundimi erdhi nga ekspertët e pavarur të Grupit Strategjik Këshillimor të OBSH-së, të cilët analizuan rezultatet e fazës së tretë të testimit të kësaj vaksinës në Kinë, Brazil, Indonezi dhe Kili.

Vaksina është autorizuar për përdorim në 32 vende dhe deri më tani kompania farmaceutike Sinovac hodhi poshtë raportet se dozat e saj nuk ishin efektive për popullsinë e moshuar. Dyshimet fillestare erdhën pasi vetë Kina nuk vaksinoi popullsinë mbi 60 vjeç me këtë vaksinë. Aktualisht, përdorimi i vaksinën Sinovac tek të moshuarit në Kinë është i kufizuar. Rruga që ka ndjekur ekonomia e dytë më e madhe e botës është e ndryshme nga ajo e vendeve perëndimore sa i takon vaksinimit. Ndërkohë që SHBA apo Britania filluan të vaksinonin të moshuarit në azile, Kina filloi vaksinimin masiv në mes të dhjetorit, duke përcaktuar si grupe përparësie oficerët, mjekët, punëtorët e transportit, njerëzit që kanë nevojë të udhëtojnë jashtë shtetit apo punëtorë dhe zyrtarë të qeverisë. Fokusi i Kinës është të vaksinojë qytetarë të moshës ndërmjet 18 deri 59 vjeç në vend të moshuarve, duke theksuar ata kanë më shumë gjasa të përhapin virusin.

“Jemi shumë të bindur se dy doza të vaksinës Sinovac ndalojnë COVID-19 ( te personat 18 deri në 59 vjeç”, thanë ekspertët e OBSH-së.

Por, ata vunë në dukje se mungojnë të dhëna për sigurinë e vaksinës te gratë shtatzëna, te më të moshuarit dhe tek ata me sëmundje ekzistuese. Sipas ekspertëve të OBSH-së, nuk ka të dhëna as për efektet e rralla anësore të zbuluara përmes monitorimit të sigurisë, pas autorizimit të vaksinës.

Analiza e vaksinës Sinovac ka nisur pasi ekspertët e OBSH-së kanë shprehur besim të ulët në të dhënat e kompanisë që ka prodhuar vaksinën.

Çfarë thonë ekspertët?

Shqetësimi nuk është se vaksinat janë domosdoshmërish të pasigurta ose nuk funksionojnë në këto grupe, por se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për efektivitetin në këtë grup moshë, e cila në të gjitha vendet ku janë realizuar provat klinike kanë qenë të parët që janë vaksinuar.

“Nga njëra anë mund të themi që nuk është provuar zyrtarisht se është efektive tek të moshuarit, por nga ana tjetër, nëse mbron të rinjtë dhe është e vetmja gjë që ke, do të ishte marrëzi të mos e përdorim”, thotë eksperti amerikan John Donnelly duke përmendur nivelet e larta të vdekjeve nga Covid-19 tek të moshuarit.

Donnelly tha megjithatë se ishte e habitshme që në katër vende që janë vaksinuar kryesisht të moshuarit dhe grupet më të rrezikuara, nuk kishte të dhëna mbi efektivitetin e vaksinës tek qytetarët mbi 60 vjeç.

Një vlerësim i ngjashëm erdhi fillimisht edhe për vaksinën e AstraZeneca, e cila fitoi licencimin e OBSH-së në shkurt dhe raportoi gjithashtu nivele “të ulëta” mbi efikasitetin tek të moshuarit. Që nga ajo kohë, të dhënat janë tjetërsuar dhe disa vende ndaluan vaksinimin e të rinjve me Astrazeneca për të shkak të efekteve anësore, duke u dhënë vetëm të moshuarve.

“Të kuptuarit se sa mirë funksionon vaksina tek të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera ose faktorë rreziku është e rëndësishme sepse Covid-19 ka pasoja vdekjeprurëse tek këto grupe”, thotë Donnelly.

Vaksinat e Sinovac po përdoren gjithashtu në më shumë se 20 vende, të cilat kanë vaksinuar jo vetëm moshat e reja por edhe të moshuarit, që kanë qenë në shumë vende grupe prioritare, së bashku me mjekët.
Megjithatë, edhe në Kinë zyrtarët shëndetësorë po vazhdojnë të procedojnë me kujdes, duke deklaruar se ka në fakt mungesë të dhënash, pasi kompania Sinovac duket se kanë përfshirë më pak njerëz të moshuar në provat klinike, krahasuar me homologët e tyre perëndimorë.

Kjo vaksinë, e cila po përdoret tek të gjithë të rriturit në Turqi, Brazil, Serbi, Indonezi, ka një efektivitet rreth 60%. Ashtu si në rastin e vaksinës së prodhuar nga Astrazeneca, dyshimet kanë lindur sepse kompania kineze nuk kishte përfshirë të moshuarit gjatë provave klinike.

Kina në fakt filloi vetëm para disa javësh vaksinimin me vaksinën e Sinovac dhe Sinopharm të qytetarëve mbi 60 vjeç, por deri më tani vaksinimi ka qene i kufizuar sepse vëmendja vazhdon të jetë tek të rinjtë.

Vonesa e Kinës në vaksinimin e të moshuarve e veçon atë nga pjesa tjetër e botës, duke përfshirë vendet si Brazili, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat po përdorin vaksina nga kompanitë kineze Sinopharm ose Sinovac. Në këto vende, rregullatorët kanë marrë të njëjtat të dhëna dhe i peshuan ato kundrejt rreziqeve të një sëmundjeje vdekjeprurëse dhe vendosën të vaksinojnë të gjithë popullsinë.

“Nuk ka asnjë arsye për të besuar se këto vaksina nuk mund të përdoren tek të moshuarit, por shqetësimi është se këto grup mosha nuk janë përfshirë në provat klinike,” tha virologu Jin Dong-yan, profesor në shkollën mjekësore të Universitetit të Hong Kongut. Çështja kryesore, sipas ekspertëve, është se pa këto të dhëna, autoritetet shëndetësore do të vaksinojnë një grup të prekshëm pa ditur nëse vaksina funksionon mirë./Burimi:Panorama