OBSH: T’i jepet fund pabarazisë në furnizimin me vaksina

332 0

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje udhëheqësve botërore që të angazhohet për të rregulluar qasjen e barabartë në vaksina kundër COVID-19, në mënyrë që të parandalohet një valë e re e të infektuarve para muajit tetor.

“Janë ndoshta 20 njerëz në botë që janë vendimtarë për zgjidhjen e këtij problemi të barazisë”, tha zyrtari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward, të martën më 10 gusht.

Sipas tij, këta njerëz kryesojnë kompanitë e mëdha që janë përgjegjëse për furnizim, pastaj udhëheqin me vendet që po kontraktojnë shumicën e vaksinave në botë dhe vendet që i prodhojnë ato.

“Ne kemi nevojë që ata 20 persona të thonë: ne do ta zgjidhim këtë problem deri në fund të shtatorit. Ne do të sigurohemi që 10 për qind e çdo vendi të jetë i vaksinuar”, tha ai, transmeton AFP.

Aylward, tha se bota duhet të “neveritet” nga një situatë e pabarazisë në furnizimin me vaksina mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura.

Agjencia e Shëndetit e OKB -së është zemëruar gjithnjë e më shumë me vendet e pasura të cilat, sipas agjencisë, nuk janë duke bërë mjaftueshëm që të ketë një furnizim më të mirë me vaksina në vendet e varfra.

Gati 4.5 miliardë doza vaksinash janë administruar në të gjithë botën, sipas një llogaritjeje të AFP-së.

Në vendet me të ardhura të larta, të kategorizuara nga Banka Botërore, 104 doza janë injektuar për 100 persona.

Në 29 kombet me të ardhura më të ulëta, vetëm dy doza janë administruar për 100 njerëz.

OBSH-ja dëshiron që çdo vend të ketë vaksinuar të paktën 10 për qind të popullsisë së tij deri në fund të shtatorit; të paktën 40 për qind deri në fund të këtij viti dhe 70 për qind deri në mesin e vitit 2022./Burimi: TopChannel