Panariti Për AgroWeb – Koronavirus, Sa Kapacitet Ushqimor Ka Shqipëria

260 0

Industritë shqiptare të përpunimit të mishit, qumështit, vezëve, të cilat importojnë lëndën e parë në tregjet e huaja, mund të preken më shumë nga përkeqësimi i mundshëm i pandemisë globale të Koronavirusit, thotë ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Në një intervistë ekskluzive për AgroWeb.org, Panariti shpjegoi ndikimin e situatës së paprecedentë në bujqësinë dhe blegtorinë e vendit tonë.

“Padyshim që bujqësia dhe blegtoria shqiptare do të preken nga kriza globale e shkaktuar nga COVID – 19. Kufizimi deri në bllokime të lëvizjes së popullatës do të shpjerë patjeter në kufizime të veprimtarive prodhuese”, tha Panariti duke argumentuar se fuqia punëtore në vendin tonë, ndryshe nga administrata, nuk mund të punojë nga shtëpia.

Sipas Panaritit, sipërmarrjet prodhuese dhe ato agro-përpunuese në vendin tonë dhe kudo tjetër, janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura me njëra tjetrën.

Kjo varësi vërehet sidomos në lëndën e parë, ambalazhim, transport e të tjera.

“Në kushtet kur COVID – 19 i kufizon apo paralizon këto, ulja deri në bllokim të prodhimit është e pashmangshme” shpjegon Panariti për AgroWeb.org.

Situata aktuale që ka kapluar të gjithë globin, ka gjetur ekspertët përpara shumë të papriturave.

Pavarësisht garancive se furnizimi ushqimor nuk do të ndërpritet, vende të shumëta po mbyllin kufinjtë dhe ekspertët gjenden përpara shumë skenarëve.

Panariti këshillon ngritjen dhe forcimin e njësive të prodhimit të drithërave, shtazëve e të tjerë. Foto: Flickr

A Rrezikohet Shqipëria Nga Një Ndërprerje e Mundshme e Furnizimit Ushqimor?

Sipas ish-ministrit, Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.

“Në një skenar të tillë, ne do të na ushqejnë fermat familjare të cilat nuk varen nga tregëtia globale dhe u mbijetojnë katastrofave” tha Panariti për AgroWeb.

Ai nënvizoi fort rëndësinë e mbështetjes së madhe për ngritjen e bujqësisë familjare në kodra dhe male të cilat zënë 70 përqind të territorit.

Vëmendje e Madhe Tek Prodhuesit e Vegjël

I pyetur nga AgroWeb mbi gjasat e paralizës së sistemit të tregëtisë ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht të fabrikave te prodhimeve dhe sistemit të shpërndarjes, Panariti nënvizoi rëndësinë e forcimit të prodhuesit të vogël.

Sipas ish-ministrit, prodhuesi i nivelit të vogël ose ferma familjare ka më shumë gjasa tu mbijetojë fatkeqësive dhe ndërprerjeve të tilla sepse nuk ka varësi ndaj faktorëve të jashtëm.

“Ky është skenari i mbijetesës, i cili mbetet e vetmja komardare shpëtimi, në skenarin e një katastrofe  totale”, tha Panariti.

A Ka Kapacitete Vetë-Ushqyese Shqipëria?

Në rastet ekstreme të gjunjëzimit të ekonomive dhe tregëtisë ndërkombëtare, një vend duhet të ketë kapacitet për vetë-prodhim të ushqimeve bazë.

Sipas Panaritit, ngritja e kapaciteteve të tilla duhet të jetë “një synim strategjik i Bujqësise për “ditët e zeza” të katastrofave natyrore dhe njerëzore.

Panariti këshillon ngritjen dhe forcimin e njësive të prodhimit të drithërave, shtazëve e të tjerë.

Sipas tij, kodrat, dhe malet e Shqipërisë duhen shfrytëzuar për ngritjen e bizneseve të vogla bujqësore dhe blegtorale, të cilat duhet të jenë të pavarura relativisht, po të qëndrueshme.

“Fushën t’ia lëmë kryesisht bujqësisë së orientuar drejt eksporteve, ndërsa kodrën dhe malin, bujqësisë së fermave familjare të cilat plotësojnë nevojat e tyre vetë”, shpjegoi Panariti.

“Është koha për një rishikim tërësor të politikave bujqësore,” shtoi ai.

Çfarë Duhet Të Bëjnë Fermerët Shqiptarë Në Këtë Situatë?

Sipas Edmond Panaritit, fermerët shqiptarë duhet të përpiqen të ulin në maksimum varësinë ndaj tregjeve të jashtme dhe të ngrejnë kapacitete të mjaftueshme për të rritur dhe përmirësuar prodhimtarinë e tyre.

Sipas tij, fermerët duhet të diversifikojnë prodhimin në fermat e tyre.

Ata duhen ndihmuar në specializime dhe profiliime brenda fermave dhe duhet të ngrejnë ura bashkëpunimi në nivel fshati ose komune.

“Në një rajon të caktuar kodrinor a malor, mund të ngrihen ferma familjare për prodhimin e qumështit, mishit, vezëve apo edhe të zarzavateve. Një gjë e tillë do të ishte shpëtimi për banorët e zonave rurale dhe urbane në kushtet e bllokimeve të tilla,” nënvizoi Panariti.

Përpos këtyre, Panariti këshillon një rishikim tërësor të politikave aktuale për mbështetjen financiare të bujqësisë në vend.

Sipas tij qeveria duhet të:

  • Heqë tavanin e poshtëm të mbështetjes financiare për krerët e blegtorisë
  • Të ofrojë mbështetje financiare edhe për fermerët që mbajnë pesë apo dhjetë krerë bagëti
  • Të hiqet TVSH për prodhimet vendase për vitin 2019.

Më herët këtë javë, kryetari i Këshillit të AgroBiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa për të ndihmuar sektoret e bujqësisë, blegtorisë, veterinarisë dhe mekanikës bujqësore. /AgroWeb.org