Pandemia në Shqipëri, si paraqiten të dhënat krahasuar me një vit më parë?

234 0

Euronews Albania sjell më poshtë të dhënat e pandemisë krahasuar mes periudhës 9 mars-15 gusht 2020 dhe 9 mars-15 gusht 2021. Ato japin një ide më të qartë të situatës së kaluar dhe asaj që mund të vijë përpara.

Shqyrtimi i të dhënave vjen pasi fundjava regjistroi numrin më të lartë të rasteve ditore në pesë muajt e fundit në Shqipëri.

Prirja në rritje e këtyre ditëve konfirmon paralajmërimet e ekspertëve se të dhënat e një vale të mundshme infektimesh nga varianti Delta do mund të shikoheshin gjatë muajit gusht.

Rastet ditore:

Nga 9 marsi 2020 deri më 15 gusht 2020 autoritetet shëndetësore kryen 49,801 teste, prej së cilave rezultuan pozitivë 7,260 persona – pozitiviteti i përgjithshëm 14.6%.

Nga 9 marsi 2021 deri më 15 gusht 2021 u kryen 462,760 teste, prej së cilave rezultuan të infektuar 22,365 persona – pozitiviteti i përgjithshëm 4.8%.

Krahasimi mes dy viteve mbetet në diskutim për sa kohë numri i testimeve ka qenë i ndryshëm. Sidoqoftë të dhënat japin një indikator të prirjeve të infeksionit.

Vjet gjatë verës kishte një valë infektimesh që erdhi gradualisht në rritje.

Këtë vit, pas lehtësimit të ndjeshëm në maj deri në fillim të gushtit pati shumë më pak raste.

Situata ndryshoi në fillim të gushtit ku brenda 15 ditëve u pikasën 2,864 raste (1,984 në 2020). Prirja është shqetësuese pasi aktualisht nuk ka masa domethënëse kufizuese.

Për t’i paraprirë një situate të rënduar në vjeshtë autoritetet shëndetësore në Shqipëri vetëm kanë ulur kufirin e grup-moshës për vaksinimet.

Prej 1 gushtit mund të vaksinohet çdo qytetar mbi 18 vjeç dhe çdo ditë autoritetet apelojnë që qytetarët të vaksinohen.

Ndërkohë Shqipëria nuk detyron karantinën për udhëtarët që hyjnë në vend.

Rastet aktive:

Vala e variantit Alpha të COVID-19, – që buroi gjatë dimrit fillimisht në Britani të Madhe, – bëri që më 9 mars 2021 në Shqipëri të kishte mbi 35 mijë persona që kishin një test pozitiv. Por deri në fund të majit ky numër i të prekurve ra nën 1 mijë dhe në fund të qershorit nën 100.

Ndryshe ndodhi vitin e shkuar ku prirja ishte rritëse, – prirje e ngadaltë. Me variantin e parë të COVID-19, që ishte më pak ngjitës, Shqipëria raportonte më pak se 200 të prekur në mes të muajit maj 2020.

Në fund të qershorit kishte mbi 1 mijë, në fund të korrikut mbi 2 mijë dhe në fillim të gushtit mbi 3 mijë.

Situata aktuale (2,810 raste aktive 15 gusht 2021) është kryesisht rezultat i variantit Delta, që është konfirmuar se qarkullon në Shqipëri që prej fillimit të verës.

Vdekjet:

Nga 9 marsi 2020 deri më 15 gusht 2020 u raportuan 225 viktima nga COVID-19.

Për të njëjtën periudhë 9 mars – 15 gusht, gjatë këtij viti janë raportuar diçka më shumë se dyfishi i viktimave (508).

Por vlen të thuhet se vetëm 14 humbje jetësh janë shënuar nga muaji qershor deri më 15 gusht – 494 viktima nga 9 marsi deri më 31 maj 2021.

Një vit më parë gjatë muajve të verës – qershor-gusht – raportoheshin rreth 200 viktima nga COVID-19.

Numri më i ulët i viktimave këtë periudhë të vitit mund të ketë ardhur si rezultat i përgatitjes më të mirë të kapaciteteve spitalore dhe stafit shëndetësor./Burimi:EuroNews