Pastroni Frutat dhe Perimet në Mënyrën e Duhur me Uthull Molle

1k 0

Rëndësia e konsumit të ushqimeve të pastra pa pesticide e kimikate është nënvizuar shpesh në artikujt e AgroWeb.org të publikuar ndër muaj.

Tregjet janë të mbushura me fruta dhe perime nga më të larmishmet dhe shumëngjyrëshet, e jo domosdoshmërisht të stinës.

Nevoja për një pastrim rrënjësor të ushqimeve të tokës është e madhe në ditët e sotme.

Kjo nuk do të thotë që njeriu duhet të përdorë kimikate për të larguar kimikate të tjera.

Beteja do të ishte e humbur po të mos ishte uthulla e mollës.

AgroWeb.org do t’ju tregojë për disa këshilla praktike për pastrimin e duhur të frutave dhe perimeve.

E vërteta është se nuk ju nevojiten detergjentë, locione të dedikuara për të pastruar perimet dhe frutat.

Uji dhe uthulla e mollës janë dyshja më efikase në pastrimin e tyre.

Përpara se të lexoni më tej, duhet të dini që uthulla ka rol pastrues por nuk shërben si disinfektues.

Së dyti, frutat dhe perimet mund të pastrohen së bashku por ato nuk përzihen me barishtet.

Solucioni i Duhur Për Pastrimin e Frutave Dhe Perimeve

Për pastrimin e frutave dhe perimeve duhet të përzieni një filxhan çaji uthull molle dhe 4 filxhanë çaji ujë.

Tretësirën hidheni në një shishe spërkatëse në të cilën do të shtoni edhe një lugë gjelle lëng limoni të freskët.

Perimet dhe frutat vendosini në një kullesë të madhe në lavaman.

Spërkatini ato bollshëm me uthullën e tretur në ujë dhe lërini të qëndrojnë ashtu për 2 deri në 5 minuta.

Më pas fërkojini frutat dhe perimet me një furcë përkatëse nën ujë të bollshëm.

Hapi i fundit është tharja me napë të pastër pambuku.

Solucioni i Duhur Për Pastrimin e Barishteve

Barishtet janë më të brishta ndaj duhet të tregoni kujdes në pastrimin e tyre.

Hapi i parë është që barishtet t’i vendosni në një enë të madhe e të thellë qelqi.

Sasia e rekomanduar e uthullës në këtë rast është një filxhan çaji uthull për çdo katër filxhanë çaji ujë.

Pasi ta keni mbushur me ujë, shtoni një lugë gjelle kripë.

Lërini barishtet të rrinë në këtë tretësirë për dy deri në pesë minuta dhe më pas transferojini në një kullesë.

Shpëlajini mirë me ujë të bollshëm dhe më pas thajini me kujdes.

Ky proces duhet bërë përpara konsumit të barishteve.

Larja e tyre dhe futja në frigorifer nxit dhe shpejton kalbjen e barishteve./AgroWeb.org