Përkeqësohet Shëndeti i Shqiptarëve – Sa Përqind Janë Me Depresion, Tension, Diabet

405 0

Në dhjetë vitet e fundit, shëndeti i shqiptarëve dhe stili i jetesës është përkeqësuar në drejtim të sëmundjeve jo të transmetueshme.

Janë rritur prevalencat e obezitetit, hipertensionit, diabetit, kancerit etj.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, një anketë e udhëhequr nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT te 15,800 persona në vitin 2018 gjeti se shqiptarët vuajnë rëndë nga shëndeti mendor.

Gati 60- 70% e të anketuarve kishin kaluar një përvojë depresioni dy javë para anketës, teksa 18% e grave dhe 13 % burrave ishin në depresion gjithë kohës, raporton Monitor.

Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (kardiovaskulare, neoplazma, diabeti etj.)

Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur.

Në vitin 2017 ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura.

Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit.

Sipas anketës së vitit 2018, prevalenca e hipertensionit është 24.3% për femrat kundrejt 20% më 2008, për meshkujt është rritur me rreth 10 pikë përqindje në raport me 2008. Qarku i Fierit ka numrin më të madh të meshkujve me hipertension

Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë ishte 53% në vitin 2018, e njëjtë si në vitin 2008, ndërsa përqindja e femrave mbipeshë ose obezë është rritur nga 39% në 2008 në 45% në vitin 2018.

Rastet Me Hipertension Në Rritje

Nga 2008 më 2018, prevalenca e hipertensionit të matur u rrit nga 20% në 24% në mesin e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe nga 28% në 38% tek meshkujt në të njëjtën grupmoshë.

Hipertensioni është shkaktari kryesor për sëmundjet e zemrës, gjithashtu dëmton trurin, duke shkaktuar vdekje ose dëmtim të përhershëm fizik.

Hipertensioni i matur gjatë anketës ishte prezent në 24% të grave dhe 38% e meshkujve të moshës 15-49 vjeç.

70 Përqind e Shqiptarëve Kanë Kaluar Përvojë Depresioni

Rreth 70 për qind anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit.

Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.

Sipas një vrojtimi të bërë nga Monitor në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan të përgjigjen.

Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, “Medresesë”, “Siri Kodrës”, “5 Majit” dhe në zonën e ish-Bllokut.

Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç./AgroWeb.org