Reçeli i Trëndafilit Të Egër, Shije Unike – Si Ta Përgatisni

1.4k 0

Kokrrat e trëndafilit të egër kanë një përdorim të gjërë medicinal.

Ato janë të pasura me vitamina, acide yndyrore, antioksidantë, madje përbëjnë një metodë domethënëse për përfitimin e vitaminës C.

Kokrrat e trëndafilit të egër mund të përdoren për çaj, mund të bëhen reçel ose marmaladë dhe mund të përfshihen në shumë ushqime të tjera.

Reçeli i trëndafilit të egër përshkruhet si një delikatesë e ëmbël, speciale dhe pak e pazakontë, recetën e të cilit, AgroWeb.org j’ua përcjell më poshtë.

Pergatitja e Reçelit me Trëndafil të Egër 

Përbërësit

2 kilogramë trëndafil të egër

600-700 gramë sheqer

Lëngu i një limoni të freskët.

Përgatitja

Lajini kokrrat e trëndafilit të egër mirë me ujë të bollshëm dhe më pas prijini bishtat, pjesën fundore dhe hiqni gjethet, të cilat i japin reçelit shije të hidhur.

Hidhini kokrrat në një tenxhere dhe mbulojini me ujë.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni të ziejë deri sa trëndafili i egër të jetë zbutur tërësisht.

Ndërkohë, merrni kavanozët dhe kapakët e tyre dhe lajini mirë me ujë të bollshëm.

Pas shpëlarjes vendosini në një tabaka të pastër gati për sterilizim.

Kullojeni lëngun nga tenxherja dhe merrini kokrrat një e nga një.

Nëse shtypen lehtë atëherë janë të ziera mjaftueshëm.

Përmes një luge druri shtypni kokrrat e trëndafilave dhe përpunojini deri sa masa të jetë e trashë.

Kur masa të ketë marrë trashësinë e duhur, shtoni sheqerin dhe lëngun e limonit.

Ky i fundit është i domosdoshëm nëse dëshironi që reçeli të ruajë ngjyrën e ndezur dhe karakteristike të trëndafilit të egër.

Përziejeni masën vazhdimisht deri sa sheqeri të jetë shkrirë dhe ngjyra e reçelit të ketë marrë nuancën e ndezur të së kuqes.

Lëreni të ziejë në tenxhere për disa minuta deri sa reçeli të ketë marrë trashësinë dhe kremozitetin karakteristik të reçelit.

Trashja e lëngut të reçelit duhet të zgjasë për rreth 30 minuta, periudhë në të cilën ju duhet të keni futur në furrë kavanozët dhe kapakët e tyre për sterilizim.

Provojeni reçelin nëse ka arritur kremozitetin e preferuar.

Nxirrini kavanozët nga furra me kujdes dhe mbushini me reçel.

Mbyllini kapakët fort duke shfrytëzuar rolin izolues të avullit.

Më pas mbulojini kavanozët e reçelit me një pecetë të pastër kuzhine dhe lërini të ftohen natyralisht për 12 orë.

Më pas kavanozëve mund t’u vendosni dhe t’i ruani në një vend të freskët dhe të errët.

Reçeli është i ëmbël dhe shumë i shijshëm.

Ai mund të hahet në mëngjes me petulla ose krepa të ndryshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.