Receta e Vjeshtës – Pudingu me Kungull të Verdhë dhe Arra

1.1k 0

Kungulli i dimrit është jo vetëm i bukur në ngjyrën e tij portokalli të ndezur por edhe i pasur në vlera.

Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitaminë A në trup. Ai rritet pothuajse në të gjitha zonat e vendit.

Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga astma, sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen.

Të ushqehesh me kungull i bën mirë zemrës. Fibra, potasi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin fort shëndetin e zemrës.

Që nga ëmbëlsira, sallata, byreku kungulli mund të jetë një zëvendësues shumë i mirë dhe i gjalpit.

Falë vlerave që ka, jo më kot konsiderohet si një ndër ushquesit më të mirë në çdo recetë gatimi, ashtu si edhe kjo ëmbëlsirë  e veçantë me bukë,  krejt e lehtë për tu përgatitur në shtëpi.

Përbërësit:

  • 2 vezë të rrahura lehtë
  • 500 gramë pure kungulli
  • 350 gramë qumësht
  • Treçerek filxhan çaji sheqer
  • 1 lugë çaji vanilje pluhur
  • 1 lugë çaji kripë
  • 5 feta bukë gruri të thata dhe të prera në kubikë
  • 2 lugë gjelle arra

Përgatitja:

Në një enë të madhe përzieni vezët, purenë e kungullit, qumështin, sheqerin, vaniljen, kripën derisa të përfitoni një masë kremoze, të butë e të plotë.

Në fund shtoni aty copat e bukës të cilat i keni prerë dhe përziejini mirë me masën e formuar.

Hidheni të gjithë masën në një tavë pjekjeje dhe piqeni për 30-40 minuta, Lëreni të ftohet në frigorifer për 24 orë ose sipas preferencës por përpara servirjes, në sipërfaqe hidhni shurup dhe arra të pjekura./AgroWeb.org