Sa e zvogëlon vaksinimi rrezikun e COVID-it të gjatë?

412 0

Shumë njerëz që preken nga COVID-19 zakonisht shërohen brenda katër javësh, por disa kanë simptoma që vazhdojnë për javë dhe muaj të tërë pas infektimit fillestar – që quhet COVID-i i gjatë. COVID-i i gjatë mund të ndodhë edhe në rastet që nuk kanë pasur forma të rënda të sëmundjes.

Hulumtuesit, studimi i të cilëve është publikuar edhe në revistën Lancet thanë se është e qartë se vaksinat shpëtojnë jetë dhe parandalojnë forma të rënda të sëmundjes, por ende duhet të bëhen hulumtime për të parë nëse ato parandalojnë mundësinë e zhvillimit të simptomave të COVID-it të gjatë te persona që janë infektuar edhe pasi janë vaksinuar plotësisht. Pse?

Disa vlerësime tregojnë se gati 30 për qind e njerëzve të pavaksinuar, të infektuar me COVID-19 po zhvillojnë simptoma afatgjata të sëmundjes, të tilla si probleme me frymëmarrje, lodhje, mungesë koncentrimi, pagjumësi dhe “mjegullim i trurit”. Një studim i ri nga King’s College të Londrës, tha se vaksinimi i plotë jo vetëm që ul rrezikun e infektimit, por ul edhe mundësitë e zhvillimit të COVID-it të gjatë për 50 për qind, ka raportuar BBC.

“Ne gjetëm që shanset për zhvillimin e simptomave të infektimit për 28 ditë apo më gjatë pas vaksinimit, u përgjysmuan pas marrjes së dy dozave. Këto rezultate sugjerojnë se rreziku për COVID-in e gjatë ulen te njerëzit që kanë marrë dy vaksinat”, thanë hulumtuesit e studimit.

Hulumtimi përmes aplikacioneve të telefonave

Hulumtuesit nga institucionet në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar analizuan të dhënat e raportuara nga vetë njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar në aplikacionin në telefon “COVID Symptom Study”. Personat që u vaksinuan në periudhën 8 dhjetor 2020 dhe 4 korrik 2021, raportuan në këtë aplikacion për simptomat e tyre dhe studiuesit më pas krahasuan rezultatet me të personave që nuk ishin të vaksinuar.

Në këto të dhëna u përfshin më shumë se 1.2 milion persona të rritur që morën dozën e parë të vaksinës, ku 0.5 për qind ose 6,030 persona kishin dalë pozitivë me koronavirus. Në mesin e gati 1 milion personave të rritur që thanë se kishin marrë edhe dozën e dytë, vetëm 0.2 për qind ose 2,370 persona thanë se u infektuan me koronavirus.

Sipas studimit, disa grupe ishin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve pas vaksinimit sesa të tjerët, veçanërisht pas dozës së parë. Këta persona, mbi moshën 60 vjeç bënin pjesë në grupin e personave me imunitet të dobët dhe persona që jetonin “në një nivel të lartë të varfërisë” në komunitete me popullsi të dendur. Njerëzit që nuk vuajnë nga mbipesha kishin rrezik më të ulët që të infektoheshin pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, thuhet në të dhënat e studimit, ka shkruar CNN.

Në përgjithësi, vaksinimi është gjetur se shoqërohet me më pak raporte për simptoma të infeksionet në të gjitha grupmoshat.

Vaksinimi në krahasim me mosvaksinimin, zvogëlon mundësitë edhe për shtrimin në spital për shkak të COVID-19 ose zvogëlon mundësitë e pasjes pesë simptoma gjatë javës së parë të infektimit pas dozës së parë apo të dytë, zbuluan studiuesit. Gjithashtu, shanset për COVID-in e gjatë dhe simptomave që zgjasin më shumë se 28 ditë zvogëlohen gjatë marrjes së dozës së parë dhe asaj të dytë.

“Pothuajse të gjitha simptomat individuale të COVID-19 ishin më pak të pranishme te personat e vaksinuar kundrejt atyre të pavaksinuar”, thanë studiuesit, duke theksuar se më shumë njerëz që ishin në grupin e të vaksinuarve gjithashtu kryesisht ishin asimptomatikë.

Megjithatë, sa i përket simptomave të COVID-it të gjatë, disa ekspertë thanë se ende ka gjëra të panjohura të cilat kërkojnë studime të mëtejme.

Simptoma më të lehta pas vaksinimit

Një studim i kryer në Izrael zbuloi se COVID-i i preku disa punonjës shëndetësorë, të cilët u infektuan pas vaksinimit. Ata kishin zhvilluar simptoma më të buta të tilla si kollë e lodhje që zgjatën të paktën gjashtë javë, ka raportuar Associated Press.
Po ashtu thuhet se studiuesit nuk e dinë me siguri pse simptomat vazhdojnë, por besojnë se disa simptoma janë si pasojë e dëmtimit të mushkërive apo organeve të tjera nga infektimi i parë. Një teori tjetër sugjeron se virusi vazhdon të qëndrojë në trupin e njeriut dhe kështu shkakton reagimin e sistemit imunitar duke shkaktuar paraqitjen e simptomave.

Këto ndërlikime afatgjata nuk janë një gjë që ndodh vetëm me koronavirusin, por edhe viruse të tjera, përfshirë edhe gripin sezonal, gjithashtu shkaktojnë simptoma afatgjata.

Sidoqoftë, pasi gjithnjë e më shumë persona janë infektuar me koronavirus dhe më vonë kanë pasur simptoma afatgjate, këto raste kanë marrë më shumë vëmendje, ka shkruar revista Vox, duke pyetur nëse bota mund ta trajtojë COVID-19 si një grip sezonal që zgjat më shumë e që mund të shkaktojë probleme afatgjate shëndetësore?

“COVID-i i gjatë nëpër studime është duke u hulumtuar përmes përqindjes së rasteve që kanë simptoma më shumë se 28 ditë. Megjithatë, COVID-i i gjatë ende nuk është kuptuar mirë dhe qëndrueshmëria e simptomave dhe ashpërsia e tyre pas infeksionit janë gjëra që ende duhet të studiohen”, tha Penny Ward, profesoreshë në King’s College të Londrës, që nuk ishte përfshirë në studim.

“Sidoqoftë, është inkurajuese që përqindja e përgjithshme e rasteve me simptoma afatgjate po zvogëlohet në mesin e pacientëve të vaksinuar, të cilët po përjetojnë një formë më të butë të sëmundjes dhe po ashtu ka rënë niveli i hospitalizimit, duke treguar rëndësinë e vaksinimit”, tha Ward.

Ka shumë të panjohura për COVID-in e gjatë – shkaktarët e saktë nuk dihen ose pse prek disa njerëz e të tjerët jo. Gjithashtu nuk dihet saktësisht se sa shpesh ndodh COVID-i i gjatë. Po ashtu, nuk dihet nëse variantet e ndryshme të koronavirusit, përfshirë variantin Delta, rrisin rrezikun që njerëzit të preken nga COVID-i i gjatë.

Por, vaksinimi ndihmon në parandalimin e COVID-it të gjatë, duke zvogëluar gjasat e infeksionit dhe formave të rënda të sëmundjes./Burimi:Panorama